Inxhiniere Ndertimi/Fasadash, Klaudia Meta për ZËRI: Ngjarja e ndodhur së fundmi në Tiranë përfaqëson një tjetër shembull të një tragjedie të paralajmëruar. Një fenomen i njohur globalisht, por që në Shqipëri vazhdon të përsëritet për shkak të mungesës së reflektimit dhe nxjerrjes së mësimeve nga rastet e mëparshme. Në vitet e fundit, Tirana është promovuar si një ndër qytetet me zhvillimin më të shpejtë urban në rajon, duke tërhequr interes të konsiderueshëm nga investitorët dhe turistët. Tregu imobiliar ka shënuar rritje të ndjeshme, me çmime që arrijnë deri në 4,000 euro për metër katror. Megjithatë, ky zhvillim i shpejtë nuk është gjithmonë i shoqëruar me standarde të përshtatshme sigurie.
Në shumë raste, ndërtesat e reja ofrojnë një paraqitje estetike tërheqëse dhe ambiente që perceptohen si luksoze, por që fshehin problematika serioze në aspektin teknik. Veçanërisht shqetësuese janë fasadat dhe sistemet e izolimit të përdorura në ndërtesat shumëkatëshe, të cilat, ndonëse synojnë efikasitet energjetik dhe komoditet termik, paraqesin rrezik të lartë në rast zjarri.
Materialet e përdorura në këto fasada mund të jenë lehtësisht të djegshme dhe të kontribuojnë në përhapjen e shpejtë të flakëve. Një shkëndijë e vogël elektrike apo një incident i shkaktuar nga faktorë njerëzorë mund të mjaftojë për të shkaktuar një zjarr që përhapet brenda pak sekondash në të gjithë strukturën e ndërtesës. Nga pikëpamja teknike dhe rregullatore, Shqipëria mbetet pas në krahasim me shumë vende europiane. Të shohësh një ndërtesë të ndërtuar në 5 vitet e fundit të digjet në atë lloj forme është tragjike dhe larg nga standardi sesi duhet të ndodhte.
Në qytete si Londra, standardet e sigurisë ndaj zjarrit janë forcuar ndjeshëm pas tragjedive të mëparshme. Sot në çdo cep të Londrës shihen objekte të tëra shumëkatëshe në të cilat fasadat po ribehen me qëllim mbrojtjen e jetës në rast të një zjarri të mundshëm. Pikërisht sepse në fasadat e tyre ka panele ACM (Panele kompozite alumini). Këto panele duken të jenë shkak edhe për zjarrin e Tiranës.
Një shembull i rëndësishëm i kësaj është zjarri i vitit 2017 në Grenfell Tower, ku 72 persona humbën jetën për shkak të përdorimit të materialeve të papërshtatshme në fasadën e ndërtesës. Kjo ngjarje çoi në rishikim të thellë të legjislacionit dhe zbatimit të standardeve të sigurisë në Mbretërinë e Bashkuar.
Sot për të analizuar riskun ndaj zjarrit të ndërtesave ekzistuese por edhe atyre të reja punojne ekipe të tëra konsulentësh dhe inxhinierësh të cilët analizojnë në bazë të PAS 9980 atë që quhet FRAEW( Fire Risk Assesment of External Walls). Madje vet shteti për të kontrolluar që fasadat e reja të përmbushin kriteret ka ngritur nje ent të përkohshëm që quhet Bulding Safety and Advisory.

Në kontrast, në Tiranë dhe në Shqipëri në përgjithësi, praktikat ndërtimore shpesh vazhdojnë të ndjekin modele që nuk përmbushin kërkesat bashkëkohore të sigurisë. Fasadat e ventiluara, të cilat teorikisht duhet të ofrojnë mbrojtje të lartë ndaj zjarrit, në praktikë shpesh realizohen me materiale që nuk janë rezistente ndaj flakëve.
Për të garantuar sigurinë e banorëve, është thelbësore që këto sisteme të përbëhen nga materiale jo të djegshme, me rezistencë të lartë ndaj zjarrit, që nuk prodhojnë tym toksik dhe nuk krijojnë mbetje të rrezikshme gjatë djegies. Këto elemente janë kritike për të mundësuar evakuimin e sigurt në rast emergjence. Jo vetëm kaq, por fasada duhet të
përmbaj elemente të tjera sigurie sic janë barrierat antizjarr( Cavity/fire barriers) të cilat në rastin e Tiranës duket se mungonin.
Gjithashtu, duhet patur parasysh që rreziku në këto objekte është tepër I lartë për shkak se kemi të bëjmë me ndertesa mbi 18 m residenciale ku mungojne hidrantet, kafaz ashensori me mbrojtje ndaj zjarri, kafaz shkalle I cili duhet të jetë i ventiluar dhe mos jetë shumë larg nga hyrjet e apartamenteve etj. Pa përmendur faktin që zjarrëfikëset nuk kanë mjete dhe as akses për ti përballuar këto ngjarje. Vlen të përmendet që ligji Nr. 152/2015 PËR SHËRBIMIN E MBROJTJES NGA ZJARRI DHE SHPËTIMIN është një ligj evaziv pa specifikime konkrete dhe që e lë gjithë fajin tek organet e MNZH.
Në përfundim, zhvillimi urban dhe rritja ekonomike nuk duhet të vijnë në kurriz të sigurisë së jetës njerëzore. Ngjarjet e fundit duhet të shërbejnë si një thirrje për reflektim të thellë dhe për ndërmarrjen e masave konkrete për përmirësimin e standardeve të ndërtimit dhe zbatimin rigoroz të rregulloreve ekzistuese.