Aktualitet

Veliaj mungon në sallë, shtyhet seanca në GJKKO, Dumani: Faji i Burgjeve që nuk zbatuan urdhrin

Vendimi për shtyrjen erdhi pasi Veliaj nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit.

zh.ll
Veliaj mungon në sallë, shtyhet seanca në GJKKO, Dumani: Faji i
erion veliaj

TIRANË- Seanca që do të zhvillohej ditën e sotme në ngarkim të kryebashkiakut Erion Veliaj në GJKKO është shtyrë për në datën 27 prilll, ora 12:00.

Vendimi për shtyrjen erdhi pasi Veliaj nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit. Sipas raportimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk ka zbatuar urdhrin e gjykatës për shoqërimin e tij.

Gjatë zhvillimit të seancës, avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, deklaroi se klienti i tij nuk është njohur me dosjen e plotë hetimore. Sipas tij, një pjesë e fashikujve nuk i janë vënë në dispozicion, duke cenuar të drejtën për mbrojtje. Ndreca argumentoi se mungesa e të pandehurit dhe mosnjohja me të gjithë materialin hetimor e bëjnë të pamundur vijimin normal të procesit gjyqësor, sakaq, kërkoi shtyrjen e seancës.

“Së pari, ju duhet të garantoni të drejtën e çdo të pandehuri për t’u njoftuar dhe po ashtu faktin që zoti Veliaj nuk e ka shprehur vullnetin e tij nëse do të marrë pjesë në seancën e sotme. Mendoj që nuk mund të vijojë gjykimi. Ndërsa, për sa u përket 24 fashikujve që ju si gjykatë theksoni që janë fashikuj që lidhen me njoftimin e akuzës për të pandehurit e tjerë, ne kërkojmë çdo fashikull, sepse janë të pandehur në një procedim të lidhur“, tha ai.

Nga ana tjetër, edhe prokurori i SPAK, Altin Dumani, kërkoi shtyrjen e seancës. Ai theksoi se Drejtoria e Burgjeve nuk ka marrë masat e nevojshme për njoftimin dhe shoqërimin në kohë të Veliajt, duke kërkuar gjithashtu sqarime për këtë mosveprim.

Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit 2025. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI

Poll

MOS HUMB