TIRANË- Familja e Gjovalin Shkambit ka reaguar në lidhje me deklaratën e këtij të fundit, i cili kërcënoi publikisht, se çdo gjyqtar që do të dënonte nipin e tij, Elvis Shkambi, do të përballej me fatin e të ndjerit Astrit Kalaja. Përmes një deklarate publike, familja e Gjovalinit shpreh keqardhje për deklaratën e tij, por sipas tyre ishte bërë në një moment gjaknxehtësie dhe gjendje të rënduar psikologjike. Familjarët kërkojnë mirëkuptim ndonëse dhuna nuk mund të justifikohet, teksa shprehen se drejtësia dhe qetësia duhet të mbizotërojnë.
Reagimi i familjes së Gjovalin Shkambi:
U arrestua pasi kërcënoi gjyqtarët, reagon familja e Gjovalin Shkambit.
Pavarësisht se drejtësia deri më tani nuk ka arritur ende të vendosë pikën përfundimtare mbi këtë çështje, ne nuk duam në asnjë mënyrë të përdorim gjuhë urrejtjeje ndaj personave që ushtrojnë detyrën e tyre dhe respektojmë proceset ligjore që po zhvillohen.
Jemi plotësisht të vetëdijshëm se kërcënimet nuk mund të justifikohen në asnjë rrethanë, por kërkojmë mirëkuptim për gjendjen e rënduar emocionale dhe psikologjike në të cilën ndodhej babai ynë në ato momente.
Ne si familjarë e kuptojmë plotësisht madhësinë dhe ndjeshmërinë e kësaj ngjarjeje, por kërkojmë me mirëkuptim që mediat të shmangin sa më shumë përfshirjen në jetën tonë familjare, pasi babai jone është marrë në pyetje dhe është publikuar në momente jashtëzakonisht të vështira dhe në gjendje të rënduar psikologjike.
Urojmë që drejtësia dhe qetësia të mbizotërojnë, dhe Zoti të bëjë atë që është më e mira për të gjithë!
Me respekt,
Familja e Gjovalin Shkambi
Çfarë deklaroi Gjovalin Shkambi
“Ai gjyqtar që dënon nipin tim do të përballet me të njëjtën gjë, do të përballet me plumba, ka të njëjtin shpërblim. Ka 13 vjet që i shkojmë kryeministrit e gjithë qeverisë, na jepni pronën se ua kemi blerë. Provat i dhamë. Ose të na çojnë në burg, nëse e kemi privatizuar gabimisht. Familjes së ndjerit gjyqtar i ulem në gjunjë dhe i kërkoj hallallin me kishë e xhami.
Por ai që dënon atë djalë, ai gjykohet sikur është gjykuar Astriti. Kemi blerë pronën me ligj me rregulla, jemi me borxh. Kush dënon atë djalë të njëjtën gjë ka, në qoftë edhe Donald Trump edhe Papa, s’ka lojë me ne më. Ne i kemi fituar të gjitha gjyqet, i kemi me certifikatë, të hetojë shteti, se ka 13 vjet që i shkruaj Edi Ramës, liromë pronën. Dhe s’ka lojë më me ne".
Si ndodhi ngjarja?
Gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën ditën e djeshme, 6 tetor, gjatë një seanca gjyqësore. Ai po shyrtonte një çështje që kishte të bënte me një rast pronësie në qarkun e Shkodrës. Autori, Elvis Shkambi, ka pretenduar se ka qenë palë e dëmtuar në çështjen e pronësisë. Momenti fatal i të shtënave është regjistruar sapo gjyqtari Astrit Kalaja është çuar për të dhënë vendimin. Në atë moment, Shkambi ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar gjyqtarin me 3 plumba në gjoks. Gjyqtari Astrit Kalaja nuk arriti t'i mbijetonte 3 plumbave në gjoks dhe humbi jetën rrugës për në spital. Ndërkohë, si pasojë e plumbave kanë mbetur të plagosur edhe 2 persona të tjerë (babë e bir) Rakip dhe Ervis Kurtaj, të cilët aktualisht ndodhen në spital. Në pranga kanë rënë autori, xhaxhai i tij Gjon Shkambi dhe roja e sigurisë, Banush Koxhaj, që e lejoi hyrjen e armatosur të autorit në ambientet e gjykatës, ku ndodhi krimi./ZËRI
