KOSOVË-Sheshi i Prishtinës vijon të jetë i mbushur me qytetarë prej orëve të vona të mbrëmjes, të cilët e gdhinë në pritje të shpalljes së verdiktit për ish-krerët e UÇK-së në Hagë. Rreth zjarrit dhe me sytë nga ekrani i madh, ku numërimi mbrapsht ka filluar, qytetarët do të njihen me vendimin historik.
I pari që do ta dëgjojë aktgjykimin do të jetë Hashim Thaçi. Pas tij do të jetë Kadri Veseli, më pas Rexhep Selimi dhe në fund Jakup Krasniqi. Aktakuza përmban gjashtë pika për krime kundër njerëzimit dhe katër për krime lufte. Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar dënimin e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit me nga 45 vjet burg secilin, ndërsa mbrojtja ka kërkuar pafajësi.
Për shkak të grumbullimeve të paralajmëruara, autoritetet e Kosovës kanë përgatitur masa të posaçme sigurie. Policia e Kosovës është koordinuar me KFOR-in, EULEX-in, Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, Zyrën e Bashkimit Evropian dhe OSBE-në. Në zona të caktuara mund të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit.
Edhe disa ambasada perëndimore kanë paralajmëruar shtetasit e tyre që ndodhen në Kosovë të tregojnë kujdes dhe të shmangin tubimet e mëdha apo lëvizjet që nuk janë të domosdoshme gjatë ditës.