Aktualitet

PAMJET e arrestimit të Hamza Ukës dhe Julian Cumrakut! Armë e granata në banesën e 'ngujimit': Qëlluan drejt RENEA-s

Në momentin që u kanë bërë thirrje Erzen Ukës dhe Julian Cumrakut të dalin nga banesa, nga brenda shtëpisë është qëlluar me armë zjarri në drejtim të forcave speciale Renea.

F.I
PAMJET e arrestimit të Hamza Ukës dhe Julian Cumrakut! Armë e
Hamza Erzen Uka dhe Julian Cumraku

TIRANË-Janë publikuar fotot e arrestimit të dy personave të dyshuar për terrorizëm, Hamza Erzen Uka dhe Julian Cumraku, të cilët u dorëzuan pas 12 orësh rezistencë të bllokuar në një banesë në fshatin Orosh të Fushë Arrëzit. Raportohet se brenda shtëpisë u gjetën 4 automatikë, 1 pistoletë, 7 karikatorë me fishekë, 18 granata dhe rreth 2000 fishekë. Banesa ku ata ishin ngujur raportohet se ishte e gjyshit të 34-vjeçarit Julian Cumraku.

Në njoftimin zyrtar Policia ka deklaruar se gjithçka filloi mëngjesin e 24 nëntorit, ku shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, gjatë kontrollit të territorit në fshatin Orosh, Fushë-Arrëz, kanë konstatuar një person i cili, sapo ka parë shërbimet e Policisë, është larguar me shpejtësi duke u futur në një banesë të braktisur. Autoritetet i kanë bërë thirrje që të dilte nga banesa, por personi nuk i është bindur thirrjes së Policisë dhe ka kërcënuar punonjësit e Policisë.

Ndodhur në këtë situatë në ndihmë kanë shkuar forcat RENEA, por në momentin që u kanë bërë thirrje Hamza Ukës dhe Julian Cumrakut të dalin nga banesa, nga brenda shtëpisë është qëlluar me armë zjarri në drejtim të forcave speciale Renea. Pas 12 orësh rrethim dhe negociata, Uka dhe Cumraku janë vetëdorëzuar. Ndërkohë ende nuk është e qartë se si është plagosur Erzen Uka pasi policia dhe RENEA raportojnë se nuk kanë qëlluar me armë zjarri drejt banesës ku po fshiheshin prej muajsh dy të dyshuarit.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “OROSHI”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Pukë, strukturat e DVP Shkodër, Drejtoria e Antiterrorit me mbështetjen e Forcave Speciale Renea.

Kërcënuan me jetë punonjësit e Policisë së Komisariatit të Policisë Pukë, u mbyllën në banesë dhe reaguan me armë ndaj punonjësve të Policisë së Repartit Special Renea duke u rrezikuar jetën, pas 12 orësh në rrethim, pamundësisë për t’u larguar dhe pas negociatave me të afërmit e tyre, vetëdorëzohen dy shtetas që u mbyllën në banesë.

Sekuestrohen 5 armë zjarri, municion luftarak, granata dore difensive, kapsolla detonatore dhe fitil zjarrpërcjellës. Vihen në pranga të dy shtetasit që kundërshtuan Policinë me armë.

Më datë 24.11.2025, rreth orës 09:00, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, gjatë kontrollit të territorit në fshatin Orosh, Fushë-Arrëz, kanë konstatuar një person i cili, sapo ka parë shërbimet e Policisë, është larguar me shpejtësi duke u futur në një banesë të braktisur, pronë e shtetasit P. C.

Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje që të dilte nga banesa, por personi nuk i është bindur thirrjes së Policisë dhe ka kërcënuar punonjësit e Policisë.

Ndodhur në këtë situatë, bazuar edhe në informacionet e siguruara më parë për rrezikshmërinë e këtij personi, shërbimet e Policisë rrethuan banesën dhe kërkuan ndërhyrjen e forcave policore të specializuara, me qëllim sigurinë e jetës së punonjësve të Policisë.

Në vendngjarje shkuan Forcat Speciale Renea, të cilat morën në kontroll perimetrin e jashtëm të banesës që mbahej nga forcat e Komisariatit të Policisë Pukë dhe forcat “Shqiponja” të DVP Shkodër.

Në momentin që Forcat Speciale Renea i kanë bërë thirrje personit të dalë nga banesa, nga brenda banesës është qëlluar me armë zjarri në drejtim të forcave speciale Renea.

Pas 12 orësh në rrethim, ku Forcat Speciale Renea u bënë thirrje të vazhdueshme për t’u dorëzuar, pamundësisë për t’u larguar nga rrethimi dhe pas negociatave me të afërmit e tyre të cilët luajtën një rol të rëndësishëm në finalizimin e operacionit pa përdorur forcë dhe pa shkaktuar dëmtime, të dy personat që ndodheshin në brendësi të banesës u dorëzuan.

Në momentin e vetëdorëzimit, shtetasi E. U. kishte një dëmtim tejshpues në kofshën e djathtë, i cili menjëherë është transportuar me ambulancë për në Spitalin Rajonal Shkodër dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Gjatë kontrollit të banesës janë sekuestruar, në cilësinë e provave materiale, 4 armë zjarri automatike dhe një armë zjarri pistoletë, një flamur i Organizatës Terroriste “Shteti Islamik” (ISIS), i vendosur në faqen e murit ndërmjet armëve të lartpërmendura, 17 copë granata dore difensive, municion luftarak, kapsolla detonatore elektrike për shpërthimin e lëndëve eksplozive, fitil zjarrpërcjellës që përdoret për shpërthimin e lëndëve plasëse, dy gëzhoja.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

E. U., 35 vjeç, lindur në Gjorm-Kurbin, i dënuar për veprën penale “Nxitja e urrejtjes dhe grindjeve”.

J. C., 34 vjeç, lindur në Pukë, i dënuar për veprat penale “Vjedhje” dhe “Kanosje”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”, “Prodhimi i armëve luftarake”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Të dy personat janë të njohur për autoritetet, pasi më parë ishin skeduar nga Anti-terrori për veprime radikale dhe për rrezik të lartë shoqëror. Julian Cumraku me origjinë nga fshati Orosh, dyshohet të ketë lidhje me grupe ekstremiste. Ai është nipi i Mëhill Cumraku (Jaku), pronari i banesës ku qëndronte prej orësh se bashku me Ukën. Erzen Uka, i njohur si Hamza Uka, ka qenë edhe Komando në Ushtrinë në Irak./ZËRI

Poll

MOS HUMB