PUKË- Për rreth 12 orë me radhë, dy persona u ngujuan dje në një banesë në fshatin Orosh të Pukës, dhe refuzonin që të dorëzoheshin, edhe pas ndërhyrjes së RENEA-s.
Juljan Cumraku dhe Hamza (Erzen) Uka u dorëzuan vetëm pas negociatave të gjata me familjarët, ndërsa Uka dyshohet se u vetëplagos, me qëllim që të fajësonte forcat e policisë.
Të dy personat kanë refuzuar që të japin deklarata për policinë pas arrestimit, ndërkohë që plaga që ka marrë Uka është në kofshë, dhe pa rrezik për jetën.
Në banesën ku ata qëndruan për orë me radhë u gjetën 4 automatikë, 18 granata dhe një pistoletë, ndërsa ndjekja e tyre ka qenë rastësore, gjatë një operacioni antikanabis që po kryhej nga policia lokale.
Të dy personat janë të njohur për autoritetet, pasi më parë ishin skeduar nga Anti-terrori për veprime radikale dhe për rrezik të lartë shoqëror. Julian Cumraku me origjinë nga fshati Orosh, dyshohet të ketë lidhje me grupe ekstremiste. Ai është nipi i Mëhill Cumraku (Jaku), pronari i banesës ku qëndronte prej orësh se bashku me Ukën. Erzen Uka, i njohur si Hamza Uka, ka qenë edhe Komando në Ushtrinë në Irak.
Dyshohet se të dy ata po qëndronin në bansën e braktisur në Orosh prej gati një muaji. Banesa u rrethua që prej orëve të para të ditës së djeshme nga policia e Pukës, ndërsa më pas iu erdhën në ndihmë dhe forcat RENEA. Prej disa orësh, efektivët kanë vijuar me negociatat, ndërsa vazhdimisht bënin thirrje me megafon që të dilnin nga banesa. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për t’u dorëzuar, ata kundërshtuan për orë të tëra duke u mbyllur brenda banesës dhe duke vështirësuar çdo ndërhyrje për shkak se dyshohej se ishin të armatosur rëndë.
Fillimisht policia solli në vendngjarje edhe vëllain e Juljan Cumrakut, më pas sollën edhe motrën e Ukës. Kanë qenë familjarët e tyre ata të cilët i kanë bindur që të dalin nga banesa dhe t'i dorëzohen policisë. Operacioni antiterror, i cili ka vijuar për orë të tëra me pjesëmarrjen e forcave të specializuara, mbetet ende aktiv, ndërsa policia po vijon procedurat përkatëse për dy të arrestuarit. /ZËRI