TIRANË-ZËRI ka siguruar pamjet e momentit të ekzekutimit të 44-vjeçarit Artan Myrtaj, i cili u vra mëngjesin e 20 shtatorit. Në videon e më poshtme shihet momenti kur autori zbret nga motori me dy armë zjarri në duar dhe i zë pritë Artan Myrtajt i cili shihet duke ecur në këmbë.
Në momentin e parë ekzekutori dyshohet se ka qëlluar me pistoletën me silenciator, por pasi arma i është bllokuar, Myrtaj ka reaguar dhe ka arritur të largohet me vrap, ndërsa autori i është vënë nga pas. Më pas autori pas një ndjekjeje nëpër rrugë ka përdorur pistoletën tjetër që mbante në dorën e djathtë për të vrarë Artan Myrtaj.
Në imazhe shihet momenti fatal, kur autori e qëllon për vdekje në një cep tjetër të rrugës dhe më pas largohet me bashkëpunëtorin e tij që po e priste në motor.
ZËRI më herët ndau edhe imazhet e personave që kryen vrasjen e 44-vjeçarit, ku autori shihet i veshur me një xhup në ngjyrë jeshile, pantallona të zeza dhe me skafandër në kokë, ndërsa në motor ndodhet bashkëpunëtori, i cili ka ndihmuar autorin për t’u larguar.
Atentati ndodhi mëngjesin e 20 shtatorit, pranë kryqëzimit te ish-agjencia e vjetër, kur dy autorët, që kishin ardhur nga rruga “Lefter Talo”, iu afruan me motor Artan Myrtajt dhe pas një ndjekjeje të shkurtë në këmbë e qëllon për vdekje.