Aktualitet

I ati në pranga/ SPAK: Ofroi para dhe një fletë votimi me emrin e së bijës! Kandidatja e PSD: E pavërtetë

Vetë kandidatja e PSD-së Limonera Bozha në Fier, në një deklaratë për mediat, thotë se akuzat për blerje votash ndaj babait të saj, nuk janë të vërteta.

F.I
I ati në pranga/ SPAK: Ofroi para dhe një fletë votimi me emrin e
Limonera Bozha

FIER- Pandeli Bozha, i njohur edhe me emrin Agim Brahimllari, 63-vjeç, babai i kandidates së Partisë Socialdemokrate, Limonera Bozha është vendosur në pranga, pas hetimeve 1 mujore të SPAK. 63-vjeçari sipas hetimeve, rezulton se ka shpërndarë shuma parash për blerjen e votave në favor të vajzës së tij. 

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare ekzekutuan urdhrin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për ndalimin e shtetasit P. B., 63 vjeç, banues në fshatin Portëz, për veprën penale "Korrupsioni aktiv në zgjedhje".

Nga hetimet dyshohet se gjatë një muaji, ai iu ka dhënë shuma parash, shtetasve të ndryshëm, me qëllim blerjen e votave në favor të kandidates së një subjekti politik. Materialet procedurale iu referuan SPAK, për veprime të mëtejshme.

Vetë kandidatja e PSD-së Limonera Bozha në Fier, në një deklaratë për mediat, thotë se akuzat për blerje votash ndaj babait të saj, nuk janë të vërteta. Sipas saj, ky është një presion i përsëritur për tu tërhequr nga gara.

Limonera Bozha: Është e pavërtetë kjo gjë. Kam qenë me PS 12 vite dhe nuk kam blerë vota për ata.  Nuk blej vota për vete dhe asnjë tjetër. Familja ime është e nderuar, babai im është njeri i respektuar. Ka ardhur të mbështesë vajzën e tij, por kurrë në asnjë moment nuk është menduar që të blihen vota. Është një shpifje ndaj meje dhe familjes time. Kjo është një sjellje tendencioze. Nuk është hera e parë që familja ime intimidohet dhe ushtrohet presion që unë të tërhiqem nga gara. Ka pasur disa raste. Njerka ime është lënë e lirë, vetëm im atë është në komisariat. Kam shumë pak informacion nga policia, por e gjithë kjo situatë është tendencioze dhe e përsëritur. Vështrimin nuk dua ta hedh nga qeveria aktuale duke qenë se kam qenë pjesë e PS për 12 vite dhe dëshirat e tyre janë që njerëzit t’i kenë në tutelë. Edhe unë kam të drejta siç ka populli, por mesa duket në Shqipëri nuk mund të kesh bindje ndryshe nga PS. Hera e disatë që bëhen presione ndaj familjarëve të mi që unë të tërhiqem nga gara.

Ndërkohë SPAK në një reagim zyrtar, njofton se më datë 8 maj, Pandeli Bozha i ka kërkuar një personi mbështetje për vajzën e tij. Ai i ka ofruar një shumë parash dhe një fletë votimi të ngjashme të votimit, ku me ngjyrë portokalli ishte shënuar emri i së bijës. Në gjendje të lirë është proceduar edhe personi me të cilin ka kontaktuar Bozha, ndërkohë që për këtë të fundit po hetohet nëse ka pasur shkelje të tjera të shitblerjes së votës.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më 08.05.2025 ka regjistruar procedimin penal nr.60/2025 për veprat penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” dhe “Korrupsionit pasiv në zgjedhje”, të parashikuara nga nenet 328 dhe 328/b të Kodit Penal.
Procedimi është regjistruar mbi bazën e materialit referues të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier ndërsa hetimet janë zhvilluar me metoda proaktive të hetimit.

Mbi bazën e hetimeve të kryera, deri tani është krijuar dyshimi i arsyeshëm, se më datë 08.05.2025, rreth orës 10:00,  shtetasi me inicialet P.B. është takuar me shtetasin V.L në banesën e këtij të fundit dhe i ka kërkuar mbështetje për vajzën e tij – kandidate për deputete e një subjekti politik në zgjedhjet e 11 Majit 2025.

Në këmbim të mbështetjes, shtetasi P.B i ka ofruar shtetasit V.L një shumë parash dhe një fletë të ngjashme me atë të votimit, ku me ngjyrë portokalli, ishte shënuar emri i kandidates që duhej të votohej.

Gjatë kontrolleve të kryera është sekuestruar fleta e ngjashme me atë të votimit dhe një kartmonedhë.

Nga hetimi rezulton se shtetasi V.L. ka konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, ndërsa shtetasi P.B. dyshohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”.

Më datë 12.05.2025, në orën 02:00 është ekzekutuar urdhri i prokurorit të posaçëm për ndalimin e shtetasit, P.B, ndërsa është proceduar në gjendje të lirë shtetasi, V.L.

Hetimet vijojnë për të verifikuar raste të tjera të shitblerjes së votës nga shtetasi, P.B. Prokuroria e Posaçme falenderon Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Policinë e Shtetit për bashkëpunimin në kryerjen e hetimeve lidhur me këtë procedim penal./ZËRI

Poll

MOS HUMB