Aktualitet

'Partizani'/ Berisha paraqitet në SPAK, por jo në gjyq! Në GJKKO vetëm Malltezi

Edhe pse zbatoi masën e sigurisë detyrim paraqitje në SPAK, Berisha deklaroi se nuk do të marrë pjesë në gjyq.

F.I
'Partizani'/ Berisha paraqitet në SPAK, por jo në gjyq!
Sali Berisha

TIRANË-Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme në zbatim të masës detyrim paraqitje për aferën Partizani, të vendosur nga gjykata. Po sot në Gjykatën e Posaçme mbahet seanca e radhës me të pandehur Sali Berishën, dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi dhe tre të tjerët, Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina. 

Edhe pse zbatoi masën e sigurisë detyrim paraqitje në SPAK, Berisha deklaroi se nuk do të marrë pjesë në gjyq. Në deklaratën për mediat pas daljes nga Prokuroria, kreu i PD u shpreh se do të paraqitet në seancë vetëm kur ta këshillojnë avokatët mbrojtës. Sa i përket Malltezit, Berisha deklaroi se nuk ka shkelur ligjin, pasi nuk ka qenë funksionar publik.

Sali Berisha:Sot fillon procesi gjyqësor. Gjykata e Lartë në një vendim të dytë shpall se për veprën e korrupsionit pasiv duhet detyrimisht që nëpunësi apo funksionari të jetë funksionar publik. Dhe duhet detyrimisht që të kenë pasur fuqi vendimmarrëse. Jamarbër Malltezi nuk ka qenë kurrë zyrtar apo funksionar publik, sepse ligji ka përjashtuar universitetet nga kjo kategori. Dhe në ligjin e ri që po bëjnë, tani po përpiqen që t’i përfshijnë. Por, po këta zotërinj, që tani në një vendim të muajit korrik, qartësojnë se nuk mund të ketë korrupsion pasiv në qoftë se personi nuk është zyrtar i lartë apo zyrtar jo i lartë se janë dy nene dhe që ka fuqi vendimmarrëse. Tani gjykojeni vetë mbi ç’bazë fillon procesi sot. Fillon mbi një bazë jashtëligjore. Unë nuk e kam zakon të flas në emër të avoketërve të mi. Prandaj mundësisht ç’të jetë pyetje për avokatin, të ja drejtoni avokatit. Kurse unë do të veproj në përputhje me këshillat e avoketëve. Ky është qëndrimi im... ... Kur avoketërit të më këshillojnë që unë të jem i pranishëm në sallën e gjyqit, do të shkoj pa asnjë hezitim. Por ka një radhë atje, ka një radhë pune dhe janë gjithë ato dhe ata kur e gjykojnë të arsyeshme unë do të shkoj.

Në seancën e sotme në GJKKO është paraqitur, dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, ndërsa të pandehurit e tjerë përfaqësohen nga avokatët. Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij. 

Në çështjen "Partizani", Sali Berisha akuzohet për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë, pasi SPAK pretendon se gjatë periudhës kur ishte kryeministër, ai favorizoi dhëndrin e tij Jamarbër Malltezin në përfitimin e pronës, duke i hapur rrugë përfitimeve të parregullta në vlerë prej 5.4 milionë eurosh nga një biznes ndërtimi. Përveç Berishës dhe Malltezit, të pandehur në këtë dosje janë edhe ortaku i Malltezit, Xhimi Begeja, biznesmeni Fatmir Bektashi dhe financierja Andia Pustina./ZËRI

Poll

MOS HUMB