TIRANË-Biznesmeni Ermal Beqiri është paraqitur mëngjesin e sotëm në ambjentet e Prokurorisë së Posaçme. Ende nuk ka një informacion se për çfarë është thirrur, por më parë ai është denoncuar nga opozita si përfitues i shumë tenderave në AKSHI. Burime për ZËRI bëjnë me dije se disa javë më parë me urdhër të prokurorit të SPAK, Klodian Braho janë marrë në zyrat e Agjencisë Kombëtare Të Shoqërisë së Informacionit, rreth 8 dokumenta në lidhje me praktikën se si janë fituar tenderat.
Kujtojmë se në fillim të muajit gusht oficerë të BKH-së kanë ushtruar kontrolle në kompaninë “Soft & Solution”, në pronësi të biznesmenit Ermal Beqirit, i cili rezulton fitues në një sërë tenderash publikë, përfshirë edhe ato të shpallura nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Emri i Ermal Beqirit u bë i njohur për publikun për herë të parë në vitin 2021, kur ai u thirr si ekspert në procesin gjyqësor për korrupsion ndaj Ilir Metës. Beqiri kreu ekspertizën teknike mbi videon e njohur si “Meta–Prifti”, ku ish-zv.kryeministri dhe Dritan Prifti diskutonin për ndarje fondesh në shumën 700 mijë euro./ZËRI


