DURRËS- Një video e publikuar në media dhe që po bën xhiron në rrjete rrjete sociale që prej mbrëmjes së 1 majit ka ngjallur reagime të forta, ku disa të burgosur shfaqen duke festuar brenda ambienteve të një institucioni të vuajtjes së dënimit, në burgun e Durrësit.
Pamjet janë publikuar nga gazetari Flamur Vezaj në kanalin “Ma Shqip”, ku shfaqen disa prej emrave të njohur të botës si krimit, si: Lul Berisha, Fehmi Mziu, Islam Kasa, Astrit Avdylaj, dhe persona të afërt me Kel Arapin. Këta të fundit ndodhen brenda një qelie të sigurisë së lartë në vend, të cilët në video, shfaqen duke konsumuar alkool, duke dëgjuar muzikë dhe duke përdorur telefona celularë.
Në pamje vihen re gjithashtu një televizor i madh dhe një ambient i ngjashëm me festë, ku disa të burgosur kërcejnë dhe filmojnë njëri-tjetrin.
Pas publikimit të videos, ka reaguar edhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, e cila bën me dije se pamjet janë të filmuara para muajit janar në Burgun e Durrësit. Pra, nuk është një video aktuale. Sipas institucionit, një pjesë e të burgosurve që shfaqen në video janë identifikuar, madje një pjesë e tyre janë liruar ose transferuar përpara muajit janar 2026.
Visualizza questo post su Instagram
Deklaratë e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve
Në lidhje me videon e publikuar në rrjetet sociale nga gazetari Flamur Vezaj, sqarojmë si vijon:
Së pari, falënderojmë gazetarin për informacionin e bërë publik dhe inkurajojmë çdo qytetar apo gazetar të denoncojë çdo akt të paligjshëm apo shkelje që cenon sigurinë në institucionet penitenciare.
Së dyti, sqarojmë se personat e shfaqur në video janë identifikuar nga strukturat tona dhe rezulton se një pjesë e tyre janë liruar ose transferuar përpara muajit janar 2026.
Menjëherë pas qarkullimit të videos është njoftuar Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve dhe kanë nisur procedurat për hetim të plotë. Hetimi përfshin të gjithë personat e identifikuar në video, si dhe verifikimin e plotë të zinxhirit komandues në IEVP Durrës, me qëllim përcaktimin e përgjegjësive në çdo nivel. Paralelisht, strukturat e IEVP Durrës vijojnë kontrollet intensive me qëllim identifikimin e plotë të përgjegjësive dhe fillimin e çështjeve penale për personat e përfshirë.
Situata aktuale nuk është ajo që paraqitet në video. Kontrollet janë intensifikuar dhe vijojnë në mënyrë të pandërprerë. Në vijim të kontrolleve të ushtruara gjatë muajit prill, gjatë ditës së sotme janë zhvilluar kontrolle të befasishme dhe të imtësishme në disa institucione.
Në IEVP Durrës janë kapur në flagrancë dhe sekuestruar 3 telefona celularë. Poseduesit e këtyre pajisjeve janë ndër personat e identifikuar në video. Ndaj tyre janë marrë masa të menjëhershme, duke u kaluar në veçim dhe duke u proceduar penalisht.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk toleron asnjë shkelje. Çdo rast trajtohet me masa konkrete, përgjegjësi individuale dhe ndjekje penale.
Mesazhi është i qartë: siguria nuk negociohet. Çdo shkelje do të goditet pa kompromis dhe kontrolli në institucionet penitenciare do të vijojë të forcohet çdo ditë.