
VLORË- Qyteti i Vlorës, sot u pushtua nga një mot ekstrem që përfshite reshje të dendura shiu dhe erë të fortë. Në njoftimin e fundit, Ministria e Mbrojtjes ka bërë më dije se situata është drejt normalizimit, por banorët e qytetit të Vlorës kanë mbetur në errësirë për shkak të shkëputjes së rrymës elektrike.
Kjo shkëputje ka ardhur për shkak të përmbytjeve me të cilat u përball sot qyteti bregdetar. Sipas Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSHE) punonjesit janë duke punuar për rikthimin e energjisë elektrike dhe shmangjen e ndonje tragjedie nga kontakti me rrymën teksa pjesa më e madhe e qytetit është akoma “nën” ujë.
Gjithashtu OSSHE ka njoftuar se do të ketë ndërprerje të energjisë deri në përfundimin e kontrolleve të çdo kabine elektrike.

Njoftimi i plotë:
Sikurse ishte parashikuar, vendi ynë është gjendur në kushte atmosferike të këqija, karakterizuar me reshje të dendura shiu dhe shkarkesa atmosferike. Vlora është zona më e prekur, ku reshjet e dendura kanë përmbytur shumë zona. Si pasojë e prezencës së ujit, për të evituar probleme të mëtejshme në rrjetin elektrik, ekipet e OSSH Vlorë kanë marrë masa duke stakuar disa fidera si masë sigurie deri në normalizim të situatës. Do të ketë mungesë të energjisë deri në momentin e largimit të ujit dhe kontrollit të kabinave. Ekipet e gatishmërisë do të jenë në terren për të risjellë sa më shpejt energjinë.
Reshjet e dendura të shiut dhe era e fortë që pushtoi sot Shqipërinë ka shkaktuar mjaft dëme. Një nga bashkitë më të goditura nga ky mot ekstrem ka qënë ajo e Vlorës, ku gjatë gjithë ditës janë raportuar përmbytje dhe dëme të shumta materiale. Reshjet e shumta kanë shkaktuar vështirësi në lëvizjen e automjeteve dhe të qytetarëvë. Rrugët janë përmbytur nga prurjet e shumta të ujit duke bërë që uji të arrijë deri tek dyert e makinave. Ministria e Mbrojtjes pak më parë, pas përfundimit të mbledhjes me kryebashkiakun e Vlorës dhe Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile njoftoi se situata është drejt normalizimit./ ZËRI