SHKODËR-Prokuroria e Shkodrës ka dërguar në gjyq shtetasit Arsuel Curaj, Alma Guraj, Gezim Guraj, dhe Vladimir Jaca, të akuzuar për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ me pasoja të rënda.
Sipas hetimeve, të pandehurit kanë vepruar në bashkëpunim duke kryer kontrata fiktive për shkëmbime pronash, dhurime dhe shitje, si dhe veprime bankare të simuluara. Qëllimi i këtyre transaksioneve ka qenë pastrimi i produkteve të veprës penale në një shumë të konsiderueshme prej 500 mijë euro.
NJOFTIMI:
Kryen transaksione dhe veprime bankare fiktive me vlerë 500.000 euro, Prokuroria Shkodër dërgon në gjyq 4 persona për pastrim të produkteve të veprës penale
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit A.C., A.G., G.G., dhe V.J., për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ me pasoja të rënda, parashikuar nga neni 287/3 i Kodit Penal.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr.1280, të vitit 2021 u arrit të provohet se shtetasit A.C, A.G, G.G dhe V.J, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer kontrata (shkëmbime pronash, dhurime dhe shitje) dhe veprime bankare fiktive me qëllim pastrimin e produkteve penale në shumën prej 500 000 (pesëqind mijë) euro, shumë që është sekuestruar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Shkodër.