
TIRANË- Janë zbardhur dëshmitë e personave që janë të përfshirë në pengmarrje. Një prej autorëve që është vënë në pranga, që është edhe i fejuari i Nikoleta Begollit, gjithashtu e arrestuar, ka deklaruar se 68-vjeçari Edvar Agalliu i ka ngacmuar të dashurën. Kjo deklaratë bie në kundërshtim me vetë dëshminë e Agalliut, i cili është shprehur se e njeh Begollin por që nuk e ka ngacmuar asnjëherë. Vetë 32-vjeçarja ka mbajtur të njëjtin version me të dashurin e saj.
Pjesë nga dëshmitë:
Njëri prej autorëve: Më ngacmoi të fejuarën, Nikoleta Begollin.
Edvar Agalliu: E njoh Nikoleta Begollin, por nuk e kam ngacmuar. Nuk e kam shqetësuar.
Nikoleta Begolli: Edvar Agalliu më ka ngacmuar.
68-vjeçari Edvar Agalliu u mor peng në rrugën “George W.Bush” nga pesë persona, dy vëllezërit Klinton e Sulejman Sina, 21 dhe 31 vjeç, Idajet Mashollari, 21 vjeç, Bajram Ibraliu 57 vjeç dhe Nikoleta Begolli 32 vjeçe. Ai u hiq në një makinë me forcë dhe u dërgua në një fshat në kufi me Elbasanin, në Kakunjë ku është lidhur dhe është mbajtur peng per pesë orë. Autorët kanë kontaktuar bashkëshorten e 68-vjeçarit dhe kanë kërkuar 2 milionë lekë të reja në mënyrë që të mos e bënin ngacmimin public. E shoqja i ka dorëzuar 1 746 000 lekë Bajram Ibraliut dhe më pas biznesmeni është liruar.