Aktualitet

“Përderisa votuan pro, legena janë”, banorët e Çërravës sërish në protestë, kërkojnë lirimin e Kevin Muçollarit

Kevin Muçollari u arrestua pas përplasjes fizike me një prej anëtarëve të këshillit bashkiak, i cili votoi pro dhënies me qera të tokave që janë shfytëzuar për kullota, për ndërtimin e parqeve fotovoltaike

E.K
“Përderisa votuan pro, legena janë”, banorët e
KEVI MUCOLLARI

POGRADEC- Banorët e Çërravës kanë protestuar sërish sot, kundër arrestimit të Kevin Muçollarit, që u vu në pranga pas incidentit të ndodhur në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.

Sipas banorëve, ngjarja është pasojë e një provokimi gjatë mbledhjes, ku u diskutua çështja e tokave të fshatit Çërravë. Ata e konsiderojnë reagimin e këshilltarit bashkiak të padrejtë dhe theksojnë se incidenti nuk do të kishte ndodhur nëse nuk do të kishte pasur provokim.

Protestuesit shprehen se Muçollari ka vepruar në mbrojtje të interesave të banorëve dhe se arrestimi i tij është i padrejtë e me prapavijë politike.

Sipas tyre, qëllimi i protestës është jo vetëm lirimi i tij, por edhe mbrojtja e tokave të fshatit nga projektet për vendosjen e paneleve diellore, të cilat, sipas banorëve, rrezikojnë aktivitetin bujqësor dhe jetesën e komunitetit. 

“Unë kam qenë prezent në mbledhjen e bashkisë dhe reagimi i këshilltarit ishte i padrejtë. Nuk ishte ofendim se “legen” e themi gjithë ditën dhe s’ishte ofezë që këshilltari të reagonte në atë mënyrë. I kërkojmë prokurorit të çështjes që ta lirojë sa më shpejt të jetë e mundur Kevin. Kevi ishte në mbështetje të banorëve dhe për mendimin tim arrestimi ishte politik. S’ka të bëjë farë reagimi që tha “jeni legena”. Përderisa voton pro, ashtu je. Reagoi keq këshilltari duke u ngritur. Këshilltarët e tjerë nuk u ngritën, e pranuan ofezën. Nëse ai s’do ngrihej, nuk do ndodhte incidenti. Të parët tanë që janë sistemuar këtu, e kanë lidhur jetën me këtë tokë dhe me këtë lumë”, tha njëri nga protestuesit.

Në mbështetje të protestuesve është shprehur edhe këshilltari i pavarur Arbër Male, i cili ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Muçollarit dhe ka theksuar se ai ishte në mbrojtje të të drejtave të banorëve të Çërravës.

Ai dhe komuniteti janë shprehur të vendosur të vazhdojnë protestat deri në zgjidhjen e çështjes. Gjatë ditës së djeshme këshilli bashkiake i Pogradecit, vendosi dhënien me qera të dhjetra hektarë tokë për ndërtimin e parqeve fotovoltaike, hapësira që deri tani janë shfytëzuar për kullota bagëtish nga ana e banorëve vendas. /ZËRI

Poll

MOS HUMB