Aktualitet

Zbardhet përplasja në Bushat/ "Burg" për Troshanin dhe Sakicën! SPAK: Shkuan me blind për të vrarë Prendin e familjarët e tij

Sipas SPAK, nga hetimet e zhvilluara rezulton se më 23 gusht 2024, rreth orës 17.00 të pasdites, Izmir Sakica, Samuel Troshani dhe Franko Leka, bashkë me persona të tjerë të paidentifikuar kanë shkuar me mjete të blinduara në Bushat.

k.m.
Zbardhet përplasja në Bushat/ "Burg" për Troshanin dhe
Izmir Sakica dhe Samuel Troshani

SHKODËR- Izmir Sakica dhe Samuel Troshani janë zyrtarisht nën akuzë si autorët të atentatit të mbetur në tentativë në gusht të vitit 2023 në Bushat të Vaut të Dejës. Në kërkim janë ende Franko Leka dhe Aleksandër Prendi. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë informacionin zyrtar pas aksionit të zhvilluar dje nga forcat RENEA në Shkodër. Operacioni u zhvillua në kuadër të hetimeve për përplasjen me armë të ndodhur në Rranxë të Bushatit, ku u godit me armë autmojeti i blinduar “Audi A8”.

Sipas SPAK, nga hetimet e zhvilluara rezulton se më 23 gusht 2024, rreth orës 17.00 të pasdites, Izmir Sakica, Samuel Troshani dhe Franko Leka, bashkë me persona të tjerë të paidentifikuar kanë shkuar me mjete të blinduara në Bushat. Në bazë të hetimeve që janë kryer, SPAK ka dalë në përfundimin se të tre këto persona ishin nisur për të ekzekutuar me armë zjarri Aleksandër Prendin dhe familjarët e tij në zonë (vëllait të tij, Andrea Prendi). Por sapo kanë shkuar në Bushat janë pikasur të parët nga shënjestra e tyre, ndaj edhe Aleksandër Prendi ka hapur zjarr i pari.

"Ata kanë shkuar në këtë zonë me qëllim vrasjen e personit nën hetim A.P. dhe familjarëve të tij, banorë të kësaj zonë. Në kohën që ata kanë qenë duke kaluar në këtë zonë, janë qëlluar me armë zjarri nga personi nën hetim A.P. Nga provat e siguruara në vendin e ngjarjes rezulton të ketë pasur shkëmbim zjarri, jo dëmtime të shëndetit të personave të përfshirë, por vetëm të mjeteve. Njëri nga mjetet me të cilën kanë lëvizur personat nën hetim, është dëmtuar si pasojë e të shtënave në vendin e ngjarjes. Ai ka rezultuar i paregjistruar, me pronësi të panjohur dhe me targa të huaja, të cilat nuk i përkojnë po të njëjtit mjet,"-bën me dije SPAK në njoftimin zyrtar. 

Gjithashtu, Struktura e Posaçme njofton se me urdhër të GJKKO-së është ushtruar kontroll në disa banesa dhe ambiente në qytetin e Shkodrës, të cilat dyshohen se përdoren si baza për strehimin e personave nën hetim; ose janë vende ku mendohet se mund të të gjenden prova për vepra penale. Por nuk i kanë zbuluar me emër se cilat prona kanë kontrolluar. 

Të njëjtët emra përmenden edhe për masakrën e Dobraçit, ku u vranë 4 persona, dy prej tyre të pafajshëm. Sipas dosjes hetimore, ka dyshime se si Izmir Sakicajm ashtu edhe miku i tij i ngushtë, Samuel Troshani ishin pjesë e "togës së pushkatimit" në Shkodër.

Cila është ajo telefonatë që "tradhtoi" Izmir Sakicajn? Po duke u bazuar në dosjen hetimore, hetuesit thonë se Sakicaj ka bërë një telefonatë gjatë të cilës ka thënë: E hoqa hard-disk-un!

Fill pas ngjarjes, Policia kontrolloi jo vetëm shtëpinë e Sakicajt, por edhe të miqve të tij, Arlind Kajoshi, Samuel Troshani, Franko Leka dhe Samet Halluni, por asnjë prej të dyshuarve nuk u gjet në shtëpi. Tashmë që dy shokët janë nën akuzë nga SPAK, pritet që të merren në pyetje edhe për masakrën që tronditi vendin.

NJOFTIMI I SPAK:

SPAK kërkon masa shtrënguese ndaj katër personave të hetuar për disa vepra penale

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të hetimeve për procedimin penal me nr.220 të vitit 2024, ka kërkuar pranë Gjykatës së Posaçme caktimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues. Më datë, 16.02.2025, përmes vendimit nr.11, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 11, të datës 16.02.2025 ka vendosur: Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale ndaj personave nën hetim I.S., S.T. dhe F.L., të dyshuar për kryerjen e veprave penale, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje“, kryer në bashkëpunim të veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja pa leje e armëve luftarake“, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 80- 28/4, 278/1, 333/a dhe 334/1, të Kodit Penal. Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg“, e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale ndaj personit nën hetim A.P., i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje me dashje“, e mbetur në tentative dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake“, parashikuar nga nenet 76-22 dhe 278/1 të Kodit Penal. Nga hetimet e zhvilluara rezulton se më 23.08.2024, rreth orës 17.00 të pasdites personat nën hetim I.S., S.T. dhe F.L., bashkë me persona të tjerë të paidentifikuar janë nisur të organizuar me mjete të blinduara në drejtim të fshatit Rranxë, në Njësinë Administrative Bushat, Bashkia Vau i Dejës.

Personat nën hetim kanë qenë të armatosur dhe ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova, se ata kanë shkuar në këtë zonë me qëllim vrasjen e personit nën hetim A.P. dhe familjarëve të tij, banorë të kësaj zonë. Në kohën që ata kanë qenë duke kaluar në këtë zonë, janë qëlluar me armë zjarri nga personi nën hetim A.P. Nga provat e siguruara në vendin e ngjarjes rezulton të ketë pasur shkëmbim zjarri, jo dëmtime të shëndetit të personave të përfshirë, por vetëm të mjeteve. Njëri nga mjetet me të cilën kanë lëvizur personat nën hetim, është dëmtuar si pasojë e të shtënave në vendin e ngjarjes. Ai ka rezultuar i paregjistruar, me pronësi të panjohur dhe me targa të huaja, të cilat nuk i përkojnë po të njëjtit mjet.

Më 18 shkurt 2025, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit kanë ekzekutuar masat e sigurisë për personat nën hetim I.S. dhe S.T. dhe janë shpallur në kërkim personat nën hetim F.L. dhe A.P. Gjithashtu, në po të njëjtën datë, në zbatim të vendimit nr. 123, të datës 17.02.2025, të Gjykatës së Posaçme është ushtruar kontroll në disa banesa dhe ambiente në qytetin e Shkodrës, të cilat dyshohen se përdoren si baza për strehimin e personave nën hetim ose si vende, ku mund të gjenden prova për vepra penale, të cilat po hetohen nga Prokuroria e Posaçme. Prokuroria e Posaçme falenderon Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për bashkëpunimin në kryerjen e kontrolleve dhe ekzekutimin e masave të sigurisë.

*Sqarim: Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë./ZËRI

Poll

MOS HUMB