
FIER- Ish-kryebashkiaku i Mallakastrës, Agron Kapllanaj ka reaguar lidhur me përplasjen e ndodhur sot në Fier. Pas përplasjes që persona të afërt me të patën me agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, ka pasur një reagim edhe nga Kapllanaj. Ky i fundit, në një prononcim të dhënë për A2CNN, pretendon se në parkimin e zyrave të subjektit politik që ai përfaqëson ka shkuar një mjet rreth orës 18:00 dhe prej andej ka ngritur një dron. Ky veprim sipas tij është kryer dy herë dhe kjo ka ngjallur dyshime të zyrtarëve që ishin brenda godinës.
“Kur ka shkuar roja i objektit për të kërkuar shpjegime se përse po ngrenë dronin nga parkimi i zyrave të tyre një prej agjentëve i ka thënë se ‘po kërkojnë të blejnë një pronë’, ndërsa më pas e ka ofenduar me fjalë të rënda,"- ka pretenduar ai.
Ngjarja ka ndodhur pasi bashkëthemeluesi i “Djathtas 1912”, ndodhej në Fier, teksa vuri re se një makinë po e ndiqte. Menjëherë pas kësaj, ka pasur një përplasje mes njerëzve të tij, agjentëve të BKH-së dhe operacionales, të cilët ishin në shërbim./ZËRI