TIRANË- Një diskutim i ashpër u zhvillua në Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) në mbledhjen e së hënës. Bëhet fjalë për diskutimin mbi projektbuxhetin e vitit pasues, ku anëtari Sokol Stojani ka shigjetuar ashpër kryetaren e Këshillit, Mirela Bogdani, për mungesë të vizionit dhe për një drejtim katastrofik të institucionit. Stojani kritikoi ashpër faktin që si prioritet ishte vendosur “garantimi i pagave”, gjë që sipas tij, nuk është diskutuar as në '97-ën. Ai foli gjithashtu edhe për parashikimin e 15 retreat-eve shumëditore për KLP. Ai e kundështoi ashpër këtë, duke theksuar se KLP nuk është agjenci turistike.
“Po e konsideroj si kohë pushimesh dhe vape, si argumente të prezantuara në kohë pushimi dhe vape. Por më thua se ne kemi prioritete, dhe prioriteti ishte garantimi i pagave. Oh Zot! Garantimi i pagave nuk është diskutuar as në ’97-ën! As në ’97-ën! Ky është vizioni. Pastaj thotë, se do bëjmë parashikime, 15 retreat-e. 15? Çfarë jemi ne, agjenci udhëtimi? Çfarë jemi këtu? Si do kthehet kjo, në KLP TRAVEL?! Të lutem shumë!”, tha Sokol Stojani, anëtar i KLP.
Anëtari i KLP akuzoi Bogdanin se gjatë verës kishte ndërhyrë në mënyrë abuzive në funksionimin e institucionit, duke bllokuar protokollimin e kërkesave dhe ankesave si dhe çfarëdo lloj gjëje tjetër. Ai e akuzoi në mënyrë të drejtpërdrejtë se, Bogdani ka ikur në plazh, por në kundërshtimin me ligjin pasi nuk ka njoftuar zv.kryetarin dhe sekretarin e përgjithshëm.
“Në mënyrë abuzive, zonjë kryetare, ju keni ndikuar te kryesekretaria që të mos protokollohen gjërat. Të mos protokollohen kërkesat, ankesat, korespondenca dhe çfarëdo lloj gjëje, qoftë nga qytetarët, qoftë nga personeli i brendshëm i institucionit. Ju, në mënyrë abuzive, keni anuluar, megjithëse ishit me leje dhe nuk kam asgjë, absolutisht, për lejet. Ai ikën në plazh, ai ikën në mal. Por ikët në plazh dhe, në kundërshtim me ligjin, nuk njoftuat zv.kryetarin dhe sekretarin e përgjithshëm që të vijonte normalisht institucioni. Nëse ju nuk arrini të perceptoni drejt gjëra elementare...”, tha Sokol Stojani.
Stojani nuk u ndal me kritikat, teksa foli edhe për emërimin e magjistratëve të rinj për prokurorë. Dokumenti i shpërndarë, pa titull dhe asnjë lloj emërtimi, ku nuk ishin ftuar as familjarët, as prokurorët e rretheve dhe as personalitete të shtetit, sipas tij ishte një 'trup'.
“Dokument pa titull. Dokument që nuk ka asnjë titull, asnjë lloj emërtimi. Dokument që nuk mund të quhet dokument. Ja keni dhënë atyre. Na keni vënë ne që të japim një gjë turpëruese për magjistratin. Ky është eventi më i rëndësishëm që ka magjistrati. Dhe çfarë bëhet? Si vaki. Si vaki, nuk u organizua. Nuk u morën as familjarët e tyre për të ndarë gëzimin. Nuk u ftuan as prokurorët e rretheve për t’i mirëpritur. Nuk u ftuan as personalitetet e lartë të shtetit, siç duhet të ishin”, tha Sokol Stojani.
Ky debat vjen në një kohë kur ky Këshill nuk ka reaguar përballë sulmeve ndaj prokurorëve. Në audion 57-minutëshe të zotëruar nga A2, nuk paraqitet mbyllja e mbledhjes dhe as replika e bërë nga kryetarja.