VLORË- Me urdhër të prokurorisë së Vlorës është vënë në pranga avokati Delo Meçani, i cili ka përvetësuar përmes mashtrimit një shumë prej 2 mln lekësh të rinj, që i përkisnin klientit të tij.
Sefedin Selmanaj, punonjës në aeroportin e Vlorës pasi nuk ishte paguar rregullisht për punën e tij, iu drejtua gjykatës dhe fitoi një dëmshpërblim prej rreth 20 milionë lekësh të vjetra.
Sipas vendimit, shuma do t’i kthehej përmes përmbarimit, por Selmanaj mësoi se avokati i tij, Delo Meçani i kishte tërhequr paratë. Meçani pranoi se i kishte marrë paratë dhe tha se do t’ia kthente klientit, por pas një viti, gjë e cila nuk ka ndodhur.
Rasti u denoncua pak ditë më parë në një emision televiziv, ndërsa tashmë prokuroria ka urdhëruar arrestimin e Meçanit.
Prokuroria ka kërkuar masën e arrestit me burg, por Gjykata e Vlorës ka caktuar masën e arrestit në shtëpi për Meçanin.
NJOFTIMI I PROKURORISË
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë kërkoi arrestimin e shtetasit D.M. me profesion Avokat pranë Dhomës së Avokatisë, për veprat penale.
“Mashtrimi me pasoja të rënda”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale parashikuar nga neni 143, pg.3, 186 dhe 287 i Kodit Penal.
Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.1340, datë 24.11.2024, mbi bazën e kallëzimit me shkrim të shtetasit S.S dhe B.E. dhe nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera dhe provave të administruara në kuadër të këtij procedimi penal, rezultoi se ekziston dyshimi i arsyeshëm, i bazuar në prova se shtetasi D.M ka përvetësuar pasurinë e viktimave të veprës penale S.S dhe B. E, në vlerën 19.200.000 lekë (të reja) duke përdorur gënjeshtrën dhe shpërdoruar besimin e viktimave, me qëllim për të përfituar padrejtësisht vlerat monetare dhe duke konsumuar elementët e veprës penale “Mashtrimi me pasoja të rënda dhe më shumë se një herë”, parashikuar nga neni 143, pg.2 dhe pg.3 i K.Penal.
Gjithashtu duke marrë në konsideratë lëvizjet e kryera në llogarinë bankare ku menjëherë pas kalimit të shumës së parave në llogari bankare nga përmbaruesi, personi nën hetim ka kaluar një pjesë te konsiderueshme të tyre (2.000.000 lekë) në llogarinë e shtetasit E.A me përshkrimin këst për blerje apartamenti ka të dhëna të mjaftueshme për të dyshuar se personi nën hetim ka konsumuar edhe elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 287 i K.Penal.
Sa më sipër, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë me datë 04.11.2025 i ështe drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë me kërkesë për caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” per shtetasin D.M.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë me vendimin nr. 561, datë 05.11.2025 ka caktuar masen e sigurimit “arrest ne shtepi” parashikuar nga neni 237 i K.Proc.Penale, mase e cila është ekzekutuar datë 06.11.2025.