DURRËS- Një 15-vjeçar është plagosur rëndë me thikë nga një bashkëmoshatarë gjatë një sherri për motive të dobëta. I mituri ka mbërritur në urgjencën e Spitalit Rajonal të Durrësit në gjendje kritike, me plagë të shumta penetruese. Ndërkohë, Spitali i Durrësit ka reaguar, duke dhënë më shumë detaje për gjendjen e të miturit, teksa bën me dije se 15-vjeçari i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale pasi kishte plagë në zemër dhe stomak. Sipas njoftimit të spitalit, fatmirësisht ai është në gjendje të stabilizuar, por ende është në reanimacion.
“Një 15-vjeçar mbërriti në urgjencë në gjendje tejet kritike, me plagë të shumta penetruese dhe organe të dëmtuara nga mjeti prerës. Zemra kishte dy çarje nga 2 cm me tamponadë kardiake, ndërsa në regjionin e corpus ventrikuli u konstatua një çarje 3 cm në stomak. Gjendje kufi. U fut menjëherë në sallë dhe ekipi kirurgjikal realizoi një ndërhyrje të vështirë, ku u menaxhuan dëmtimet jetike dhe u rikthye stabiliteti hemodinamik. Reagim i shpejtë, i pastër, pa humbur asnjë minutë. Mirënjohje për kirurgët F. Shini dhe E. Demiraj, si dhe për anestezistin A. Banushi, që e çuan rastin drejt suksesit me profesionalizëm dhe qetësi operative. Pacienti aktualisht po trajtohet në Reanimacion në gjendje të stabilizuar”, njofton spitali.
Gjithashtu, ka reaguar edhe mjeku kirurg i spitalit, Fitim Shini, i cili bën me dije se situata mbetet kritike. Sipas kirurgut, i mituri ka 4 plagë në gjoks, njëra prej tyre i ka prekur zemrën, ndërsa thotë se duhet orët në vijim janë vendimtare për gjendjen e 15 vjeçarit.
“Për momentin pacienti ndodhet në reanimacion, i intubuar, dhe gjendja vazhdon të jetë e rëndë. Shpresoj që në 24/48 orët e ardhshme gjendja të stabilizohet dhe të dalë nga reanimacioni. Fëmija erdhi në urgjencë me disa plagë, 4 plagë në rajonin e gjoksit, ku njëra prej tyre depërtonte në zonën e zemrës dhe ka shkaktuar gjendjen e rënduar. Aktualisht ka marrë 3 flakone gjak dhe për momentin gjendja vazhdon të jetë e rëndë në reanimacion. Shpresojmë që në orët në vijim situata të përmirësohet.”, tha kirurgu Fitim Shini.
Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme 25 nëntor, ku një 14-vjeçar në debat e sipër ka plagosur me thikë një 15-vjeçar, duke i shkaktuar plagë të rënda. Autori i mitur është arrestuar, ndërsa i plagosuri vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve. Konflikti dyshohet se ka nisur fillimisht në rrjetet sociale mes adoleshentëve dhe më pas kanë lënë takim me njëri-tjetrin me pretendimin për t’u sqaruar. Dy të miturit kanë shkuar në vendin e takimit bashkë me shokë të tjerë dhe pas debateve me tone të ashpra janë përleshur fizikisht mes tyre, si dhe kanë përdorur sende të forta, deri në përdorimin e thikës./ZËRI
