DURRËS-Një plagosje me thikë është regjistruar në Durrës, si shkak i një konflikti për motive të dobëta mes dy të miturve. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme 25 nëntor, ku një 14-vjeçar në debat e sipër ka plagosur me thikë një 15-vjeçar, duke i shkaktuar plagë të rënda. I plagosuri ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve, ndërsa autori i mitur është arrestuar.
Konflikti dyshohet se ka nisur fillimisht në rrjetet sociale mes adoleshentëve dhe më pas kanë lënë takim me njëri-tjetrin me pretendimin për t’u sqaruar. Dy të miturit kanë shkuar në vendin e takimit bashkë me shokë të tjerë dhe pas debateve me tone të ashpra janë përleshur fizikisht mes tyre, si dhe kanë përdorur sende të forta, deri në përdorimin e thikës.
Njoftimi i policisë:
Plagosi me thikë një 15-vjeçar, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kapet dhe vihet në pranga 14-vjeçari, autori i dyshuar i plagosjes.
Sekuestrohet mjeti prerës që 14-vjeçari kreu plagosjen.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një konflikt të ndodhur më datë 25.11.2025, në lagjen nr. 14/1, në rrugën “Lugina e Karavastasë”, organizuan punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Nga veprimet e para hetimore të kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Durrës, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës, rezultoi se gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi i mitur M. K., 14 vjeç, banues në Durrës, dyshohet se ka goditur me mjet prerës (thikë) shtetasin E. B., 15 vjeç, duke i shkaktuar atij plagë të rënda. I dëmtuari aktualisht ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës, nën kujdesin e mjekëve.
Pas identifikimit të autorit, shërbimet e Policisë kontrolluan në zonë dhe në ambiente të ndryshme, ku pas disa orësh bënë të mundur lokalizimin dhe kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit M. K., 14 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.