TIRANË- Detaje të reja janë zbuluar nga plagosja me armë në parkingun e qendrës tregtare “Megatek”. Nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë, policia ka rindëtuar dinamikën e sherrit mes të rinjve për të kuptuar ngjarjen dhe motivin që çoi deri në përplasjen me armë.
Burime bëjnë me dije se autorët dhe të plagosurit ndodheshin me dy mjete të ndryshme. Sherri mes tyre ka nisur i çastit dhe për motive banale, ndërsa paraprakisht dyshohet se shkak të jetë bërë parkimi.
Të plagosur kanë mbetur 25-vjeçari Fabjo Arifaj dhe 22-vjeçari Grisjan Latifaj. Fabjo Arifaj është qëlluar me armë zjarri, ndërsa plumbi e ka kapur në pjesën e këmbës. Ndërsa personi i dytë i plagosur, Grisjan Latifaj, i cili ishte në makinë me 25-vjeçarin ka marrë lëndime me sende të forta.
Pas të shtënave, autorët janë larguar me makinën e tyre, e cila është gjetur e braktisur në një rrugicë jo shumë larg vendngjarjes dhe më pas është sekuestruar nga policia. Ende nuk dihet se si autorët kanë vijuar arratisjen më pas. Dyshohet se janë larguar me një tjetër mjet duke u ndihmuar nga persona të tjerë ose në këmbë.
Aktualisht grupi hetimor po verifikon pronësinë e mjetit të sekuestruar të autorëve për të bërë dhe identifikimin e autorit/ ëve. Gjithashtu janë ngritur pika kontrolli, me qëllim kapjen dhe arrestimin e të dyshuarve./ZËRI
