TIRANË- I penduari i drejtësisë, Erion Alibej, ka vijuar dëshminë e tij në GJKKO për dosjen "Plumbi i artë". Alibej ka rrëfyer detaje tronditëse në lidhje me ngjarjet kriminale për të cilat akuzohet. Para togave të zeza, teksa ka dëshmuar një sërë ngjarjesh ku ka qenë vetë i përfshirë, ka zbuluar edhe emra të tjerë, si ai i Alban Qerosit. Ky i fundit, sipas dëshmisë së Alibejt, i kishte siguruar makinën për vrasjen e vëllezërve Haxhia.
"Për ngjarjet e tjera, armët thuajse i kam siguruar të gjitha te hoxha, për të cilën kam dhënë deklarime më parë. Në vrasjen e Bujar Çelës, Nuredini ka pasur armë vetë, nuk më kujtohet nëse me ka kërkuar mua armë. Ka pasur raste kur kam pas edhe armë gjendje. Për vrasjen e vëllezërve Haxhia, një makinë e ofrova unë. Me atë u bë ekzekutimi. Ma dha një djalë nga Shijaku, shok i hershëm i vëllait tim të ndjerë dhe ai ma ofroi. I thërrasin Alban Qerosi, emër mbiemër nuk ia di. E kam takuar disa herë këtë person, shumë herët.", ka dëshmuar Alibej.
Lidhur me vrasjen e Anxhelo Avdisë, Alibej tha se ai ishte në vendin dhe kohën e gabuar, teksa ka shprehur edhe keqardhje.
“Nuk kam c’të them për Anxhelo Avdinë. Ka qenë në kohën e gabuar në vendin e gabuar. Unë vete ndjeva keqardhje. Armët për krimin i kam siguruar unë. Kam pasur një kontakt të dikujt që njihej si Hoxhë. Kontaktin ja dhashë dikuj tjetër. Kam folur në Encro dhe Sky me të. Nuk e di emrin e tij. Më niste edhe foto të armëve. Altin Skëndaj ma dha si kontakt. Hoxhën për armë e kam kontaktuar disa here. Kam marrë disa herë armë prej tij. Ne Encro Hoxha mbante pseudonimin “Noku”, tha Alibej.
