KORÇË- Një plagosje me thikë është regjistruar në një lagje periferike të Korçës, në afërsi të shkollës “Demokracia”. Si pasojë e sherrit, një 42-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë.
Burime bëjnë me dije se bëhet fjalë për një konflikt mes komshinjve, të cilët kanë pasur edhe më herët debate për motive banale. Ditën e sotme, ata janë përleshur jashtë banesave të tyre, ku njëri prej tyre ka nxjerrë një thikë dhe ka goditur dy herë komshiun.
I plagosuri, 42-vjeçari Rigels Janaqi, ka marrë plagë në zonën e qafës dhe është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Korçës për të marrë ndihmë mjekësore. Deri më tani nuk dihet gjendja e tij shëndetësore.
Ndërkohë, autori i dyshuar i ngjarjes, 54-vjeçari Gëzim Ramka, është kapur nga policia dhe është shoqëruar në komisariat. Mësohet se pas plagosjes ai është kthyer në banesë, ku është gjetur dhe arrestuar nga efektivët e Policisë së Korçës. Paraprakisht, dyshohet se Ramka vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive./ZËRI