BURREL-Tre persona janë vendosur në pranga në Burrel, në kuadër të operacionit policor të koduar “Start 3”. Të arrestuarit janë A. M., 27 vjeç, dhe D. Gj., 55 vjeç, banues në Sanxhak të Laçit, si dhe N. Gj., 72 vjeç, banues në Burrel. Sipas Policisë, nga hetimet dyshohet se tre shtetasit vepronin në bashkëpunim me njëri-tjetrin në përgatitjen dhe shitjen e kokainës në zona të ndryshme të Burrelit.
Gjatë kontrolleve fizike dhe në banesat e tyre, policia gjeti dhe sekuestroi 94.70 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, 19 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, 13 telefona celularë, dy peshore elektronike, një automjet dhe një orë dore të markës “Rolex”.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Start 3”
Shisnin lëndë narkotike kokainë në zona të ndryshme të Burrelit, arrestohen në flagrancë 3 shtetas.
Gjatë kontrolleve fizike dhe në ambientet e banesave të këtyre shtetasve, u gjetën dhe u sekuestruan;
-94.70 gram lëndë e dyshuar narkotike kokainë
-19 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm
-13 telefona celularë
-2 peshore elektronike
-1 automjet
-1 orë dore e markës “Rolex”.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mat, si rezultat i një hetimi proaktiv, të kryer nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të 3 shtetasve në fushën e narkotikëve, finalizuan operacionin policor të koduar “Start 3”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:
A. M., 27 vjeç, dhe D. Gj., 55 vjeç, banues në Sanxhak, Laç;
N. Gj., 72 vjeç, banues në Burrel.
Nga hetimet e kryera dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, përgatitnin dhe shisnin lëndë narkotike kokainë në zona të ndryshme të qytetit të Burrelit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Dibër, për veprime të mëtejshme.