DURRËS-Një grup turistësht raportohet se janë helmuar gjatë qëndrimit në ambientet e 'Premium Beach Hotel' në Golem. Ngjarja ka ndodhur disa ditë më parë, pasi turistët kishin konsumuar ushqim në restorantin e hotelit. Turistët janë ndier keq dhe kanë marrë ndihmën e parë, ndërsa më pas u është konfirmuar se simptomat lidheshin me helmim ushqimor.
Pas konfitmimit se ishin helmuar, grupi i turistëve, sipas Skyweb.al, i janë drejtuar Autoritetit Kombëtar të Ushqimit përmes një ankese të dërguar në adresën zyrtare. Pas njoftimit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ushtruar kontroll në ambientet e 'Premium Beach Hotel' në Golem, ku raportohet se janë marrë mostra nga produktet ushqimore të përdorura në restorantin e hotelit, të cilat janë dërguar për analiza laboratorike.
Në ambientet e kuzhinës së restorantit janë konstatuar edhe probleme që lidhen me kushtet higjieno-sanitare. Paraprakisht, inspektorët dyshojnë se helmimi mund të jetë shkaktuar nga prania e një bakteri në djathin e konsumuar nga turistët. Rezultatet përfundimtare të analizave laboratorike nuk kanë dalë ende përgjigjia e tyre pritet të zbulojë shkakun e helmimit të turistëve.