Aktualitet

Pritej të hapej sot në mesditë, shembet sërish rruga në "Arrat e Gurrës", rrezikohet rrjeti energjitik! ARRSH: Do kryhet rivlerësim gjeologjik

Segmenti i bllokuar që pritej të hapej sot në mesditë pas ndërhyrjes me by-pass dhe aktivizimit të një rruge dytësore, ka pësuar një tjetër goditje të rëndë.

zh.ll
Pritej të hapej sot në mesditë, shembet sërish rruga në
rruga

LIBRAZHD- Zona "Arrat e Gurrës" në fshatin Dragostunjë të Librazhdit nuk po gjen qetësi dhe situata me ifrastrukturën paraqitet ende problematike. Segmenti i bllokuar që pritej të hapej sot në mesditë pas ndërhyrjes me by-pass dhe aktivizimit të një rruge dytësore, ka pësuar një tjetër goditje të rëndë. Kjo e bën segmentin rrugor të pakalueshëm dhe rrit rrezikun për kalim të mëtejshëm, duke përfshirë edhe këmbësorët. Këta të fundit, gjithashtu janë ndaluar që të qarkullojnë në atë zonë. 

Sipas burimeve, rruga dytësore, e cila ishte hapur për të mundësuar kalimin provizor të mjeteve, ka pësuar një fundosje dhe rrëshqitje shkatërrimtare të një sipërfaqeje të madhe toke. Gjithashtu, janë hequr edhe makinat e firmës pasi ekziston frika e fundosjes së mëtejshme. 

Situata në segmentin rrugor është përkeqësuar ndjeshëm gjatë ditëve të fundit për shkak të rrëshqitjes së tokës dhe fundosjes së urës, duke rritur rrezikun për çdo lloj qarkullimi. Bllokimi i këtij segmenti vijon të krijojë probleme serioze në qarkullimin e mjeteve dhe në lidhjen mes zonave, duke shtuar presionin për një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme infrastrukturore.

Lidhur me situatën në aksin Përrenjas-Librazhd, ARRSH ka dhënë një njoftim zyrtar, duke bërë me dije se do të kryhet një rivlerësim urgjent gjeologjik dhe teknike.

“Rruga dytësore e hapur për kalim provizor ka pësuar fundosje dhe rrëshqitje toke, duke dëmtuar punimet e kryera dhe duke e bërë segmentin aktualisht të pakalueshëm. Për arsye sigurie janë tërhequr mjetet e firmës zbatuese dhe është ndaluar qarkullimi i mjeteve dhe këmbësorëve. Strukturat shtetërore do të kryejnë një rivlerësim urgjent gjeologjik dhe teknik, pasi terreni paraqitet i paqëndrueshëm dhe sfidues për ndërhyrje”, njoftojnë autoritetet.

Ndërkohë, Operatori i Sistemi të Transmetimit (OST) ka bërë me dije se nga shembja e dherave në aksin rrugor në Librazhd, rrezikon të shembet shtylla e tensionit të mesëm. Për pasojë, do të demontohet shtylla si dhe linja 110KV do të tokësohet, teksa energjia elektrike do të stakohet nga ora 10:00 deri në orën 17:00. Gjatë këtij intervali kohor do të mbeten pa energji elektrike disa zona në rrethin e Librazhdit, Babje, Buzgar, Drapata, Dragostunjë, Ferrë, Frarë, Hotolisht, Gurëkuqe, HEC-i Xhyrë.

“Ju njoftojmë se, në kuadër të punimeve për demontimin e shtyllës Nr.15, në linjën 110kV – 16/3a Librazhd – HEC Egnatia, në datën 23 shkurt 2026, nga ora 10:00 deri në orën 17:00, do të stakohet dhe tokëzohet Linja 10kV e Fiderit F3 Hotolisht të Nënstacionit Librazhd si dhe Linja 35kV e HEC-it Dragostunjë. Si rrjedhojë, gjatë këtij intervali kohor do të mbeten pa energji elektrike disa zona në rrethin Librazhd: Babje, Buzgar, Drapata, Dragostunjë, Ferrë, Frarë, Hotolisht, Gurëkuqe, HEC-i Xhyrë”, njofton OST-ja.", thuhet në njoftim. /ZËRI

Poll

MOS HUMB