Aktualitet

Proda e Shpataraku, nga ngritja te rënia! Ish-zyrtari u kap në makinë me Agasin...çfarë pasuan lëvizjet në Polici

Pas emërimit të Prodës në krye të Policisë, edhe Shpataraku u transferua në strukturat qendrore, duke punuar pranë tij.

F.I
Proda e Shpataraku, nga ngritja te rënia! Ish-zyrtari u kap në
Ilir Proda dhe Uljan Shpataraku

TIRANË-Arrestimi i biznesmenit Ergys Agasi, i shpallur në kërkim prej tetë muajsh në Durrës, ka kthyer “sytë” nga lëvizjet në Policinë e Shtetit gjatë periudhës 2025-2026. Bashkë me Agasin u arrestua edhe ish-zyrtari i Policisë, Uljan Shpataraku, i cili drejtonte mjetin në të cilin ndodhej biznesmeni i shpallur në kërkim nga SPAK. Emri i Uljan Shpatarakut lidhet me ish-kreun e Policisë së Shtetit, Ilir Prodën. Ish-zyrtari i Policisë është aluduar si i besuar i Prodës, teksa emërimet në postet e larta u shoqëruan me akuza për bashkëpunim me krimin.

Ilir Proda u emërua në krye të Policisë së Shtetit në tetor të vitit 2024, në moshën 41-vjeçare. Asokohe, Proda mbante postin e drejtorit të Policisë së Elbasanit, vend ku dyshohet se Ergys Agasi mund të ketë qëndruar gjatë periudhës që ishte në arrati. Ndërkohë, Uljan Shpataraku mbante postin e zëvendësdrejtorit të Policisë së Elbasanit. Pas emërimit të Prodës në krye të Policisë, edhe Shpataraku u transferua në strukturat qendrore, duke punuar pranë tij.

Emërimi i Prodës u shoqërua edhe me një lajm në media, ku u raportua se atij i ishte sekuestruar telefoni nga SPAK. Dyshimet ishin se drejtuesit e Policisë së Shtetit mund të kishin nxjerrë sekretin hetimor për operacionin në lidhje me kapjen e vëllezërve Çopja në Elbasan. Akuzat u thelluan nga opozita, ku kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, teksa fliste për veprimtarinë e grupit “Çopja”, deklaronte se Proda fsheh dosjet e krimit dhe mbron eksponentët kriminalë. Berisha madje ka pretenduar se në zyrën e Prodës kanë pasur ndikim figura si Ergys Agasi. 

Në dhjetor 2025, pasi SPAK siguroi në gjykatë disa urdhër-arreste, Ergys Agasi, një ndër përfituesit kryesorë të tenderave të AKSHI-t, u arratis.

“Kryepolici Ilir Proda… Proda është i regjistruar në dhjetëra e qindra dokumente si bashkëpunëtor i karteleve kriminale. Dhe vazhdon, e është drejtor akoma. Tre ministra kanë ikur prej tij, jua them me përgjegjësinë më të madhe, absolutisht, kanë ikur sepse sa herë thoshte ai s’punoj dot me të, Agasi i hiqte. Asnjë prej tyre nuk janë burra të mirë, por për t’i hequr, i ka hequr Proda me Agasin. Imagjinoni se çfarë gjendje është vendi dhe krimi, jemi më keq se në 1991”, deklaronte Berisha në shkurt të vitit 2026.

Në mars të vitit 2026, Proda u shkarkua me argumentin se gjatë protestës së dhunshme të Partisë Demokratike nuk u sigurua rendi, duke rrezikuar jetën e shtetasve të huaj. Më 20 maj, pas largimit të Prodës, drejtuesi i ri, Skënder Hita, firmosi edhe përjashtimin e Shpatarakut nga Policia për mungesa në punë. Shpataraku, i cili u përfol edhe si emri që do të vendosej nga Proda në krye të Policisë së Korçës dhe ish-shef i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, u arrestua në makinë me Ergys Agasin.

Ndryshimet, emërimet dhe shkarkimet erdhën në një kohë para arrestimit të Ergys Agasit. Hetimet e mëtejshme lidhur me praninë e një ish-zyrtari të Policisë në makinë me Agasin pritet të hedhin dritë mbi mënyrën se si biznesmeni ka mundur t’u shmanget autoriteteve gjatë tetë muajve./ZËRI

Poll

MOS HUMB