Aktualitet

Prokuroria e Apelit nuk bën rekurs për Arbër Paplekajn, vrasja e Pjerin Xhuvanit në Elbasan mbyllet me 7 vite burg

Kështu, që nga koha e arrestimit, pritet që brenda më pak se 2 vitesh, Arbër Paplekaj të lirohet nga qelia. 

k.m.
Prokuroria e Apelit nuk bën rekurs për Arbër Paplekajn, vrasja e
Pjerin Xhuvani dhe Arbër Paplekaj

ELBASAN- Arbër Paplekaj është dënuar me 7 vite heqje lirie për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, në prill të vitit 2021. Vendimi i dhënë nga shkalla e parë, tashmë ka marrë formë të prerë. Kjo për shkak se Prokuroria e Apelit në Tiranë, nga dhjetori 2024 nuk e ka çuar vendimin për rekurs pranë Gjykatës së Lartë. Gjykata e Elbasanit kishte dënuar Paplekaj me 22 vite burgim për akuzën e “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”. Ndërsa, Gjykata e Apelit të Tiranës vendosi ndryshimin e akuzës, duke e dënuar me 7 vite burg për "vrasje të kryer në kushtet e tronditjes së fortë psikike”

Kështu, që nga koha e arrestimit, pritet që brenda më pak se 2 vitesh, Arbër Paplekaj të lirohet nga qelia. 

Sipas vendimit të zbardhur nga gazetari i "OraNews", Elton Qyno, Apeli ka dalë në përfundimin se Paplekaj në momentin e kryerjes së veprës penale ka qenë në kushtet e tronditjes psikike, e cila është shkaktuar nga dhuna dhe fyerja e rëndë e viktimës (Pjerin Xhuvani). Si pasojë e tronditjes, Gjykata argumenton se i dënuari nuk ka qenë në kontroll të veprimeve që ka kryer. 

”...gjatë kohëzgjatjes së kësaj gjendje i pandehuri nuk ka pasur kontroll të plotë të veprimeve të tij, pasi vetëdija e tij është errësuar dhe ka mbizotëruar efekti fiziologjik i shkaktuar si pasojë e veprimeve të viktimës (Pjerin Xhuvani)...kjo gjendje ka lindur papritur dhe vepruar për disa çaste, duke dobësuar veprimtarinë e vetëdijshme intelektuale dhe aftësitë e vetëkontrollit, por pa i humbur ato. Nga ana e viktimës, i ndjekur nga personat e tjerë, midis tyre edhe Eltjon Bodinaku dhe Luan Tabaku, janë ndërmarrë veprime të dhunës dhe fyerjes së rëndë ndaj të pandehurit Paplekaj, duke fyer dhe sharë në drejtim të familjarëve të tij. Provohet se viktima, i ndjeri Pjerin Xhuvani, i ndjekur nga persona të tjerë, shtyn me duar dhe ndjek e veçon të pandehurin Arbër Paplekaj. Provohet se njëri prej këtyre dy qitësve, ka qenë në distancë të afërt jo më tepër se 1 metër, me viktimën Pjerin Xhuvani në teshat e të cilit janë gjetur faktorë plotësues të qitjes. Këta faktorë plotësues janë gjetur edhe në teshat e Eltion Bodinaku dhe Emiljan Prenga të ndodhur shumë pranë viktimës Pjerin Xhuvani...,”-shprehet Gjykata e Apelit Tiranë. Përveç vendimit për Paplekajn, Apeli i Tiranës ka rrëzuar dënimin edhe punonjësit e Policisë së Elbasanit, duke deklaruar të pafajshëm Albert Nushin, Nikollaq Pallan, Dedjon Durakun, Pëllumb Biçakun, Erjon Ballën, Erjon Meçjan, Donald Dedjan dhe Besmir Kadiun.

Si ndodhi vrasja e Pjerin Xhuvanit?

Më 21 prill 2021, 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, në Elbasan u vra Pjerin Xhuvani, përkrahës i Partisë Socialiste. Paplekaj ishte pjesë e një "SMV", strukture për Mbrojtjen e Votës e ngritur në Elbasan nga PD. Pas një sherri verbal pasi SMV dyshonte se Xhuvani ishte pjesë e një grupi që blinin vota, ndodhi vrasja ku mbeti i pajetë Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë. Të plagosurit ishin Paulo Vuksani, Emiljano Prenga, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota. Nga dita e arrestimit deri më sot në pranga është ish-oficeri i RENEA-s, Arbër Paplekaj i cili akuzohet se qëlloi për vdekje Xhuvanin dhe dhëndrin e tij, Eltjon Bodinakun. Paplekaj, një ish efektiv i RENEA u vetëdorëzua dhe pranoi krimin duke thënë se e kishte bërë goditjen pasi ishte qëlluar më parë me armë zjarri./ZËRI

Poll

MOS HUMB