TIRANË-Dëmet e shkaktuara në bizneset e prekura nga protestat e ditëve të fundit në Tiranë vlerësohen në 2,15 milionë euro. Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve ka njoftuar se deri tani janë evidentuar 127 subjekte të dëmtuara.
Nga subjektet e identifikuara, 55 janë evidentuar përmes verifikimeve në terren nga administrata tatimore, ndërsa 72 të tjera kanë raportuar dëmet përmes shërbimit elektronik “Dëmi im”.
Administrata Tatimore bën të ditur se po kryen verifikime në terren si dhe po shqyrton raportimet përmes shërbimit “Dëmi im”, me qëllim përditësimin dhe saktësimin e të dhënave.

Gjatë protestave të ditëve të fundit në Tiranë, të cilat janë shoqëruar me tensione e përplasje mes efektivëve, janë dëmtuar edhe biznese, ambiente dhe njësi tregtare.