TIRANË- Qytetarët u mblodhën sërish këtë të enjte, në kuadër të protestës kundër projektit të zhvillimit në zonën e Zvërnecit. Qytetarët kanë nisur grumbullimin në sheshin ‘Skënderbej’, por këtë herë ndryshuan itinerarin e marshimit.
Protestuesit marshuan drejt Kuvendit ku po zhvillohej seanca plenare me thirrje ndaj deputetëve: "Ju erdhi fundi!”. “Parlamenti i krimit”, “Rama jepe dorëheqjen”, "Dorëzoni mandatet".
Pas kësaj ndalese, protestuesit kanë ndaluar marshimin edhe para selisë së PD-së, aty ku u përplasën verbalisht me disa demokratë që ndodheshin në ambientet e selisë.
"Opozitë e shitur", ishin thirrjet e protestuesve para selisë, ndërsa nuk munguan as thirrjet: "Rama n'burg, Berisha n'burg".
Pas këtyre ndalesave, protestuesit kanë vazhduar marshimin drejt Kryeministrisë.
Tubimi i sotëm shënoi ditën e 19-të të protestës, e cila ka nisur më 31 maj dhe po vijon pa ndërprerje. Organizatorët kanë bërë të qartë se protestat do të vazhdojnë çdo ditë deri në anulimin e projektit nga qeveria.
Protestuesit kundërshtojnë zbatimin e projektit, duke shprehur shqetësime për ndikimin e tij në mjedis dhe në zonat e mbrojtura të Zvërnecit. Ata kanë paralajmëruar se nuk do të tërhiqen nga kauza e tyre derisa kërkesat të merren në konsideratë nga institucionet përgjegjëse./ZËRI