TIRANË- Ka nisur protesta e Partisë Demokratike përpara Kryeministrisë, teksa raportohet se rreth 1350 efektivë ndodhen në terren. Në vetëm një rresht me efektivë, kordoni policor është vendosur para godinës së Kryeministrisë. Në kuadër të masave për mbarëvajtjen e tubimit, policia u bën thirrje qytetarëve që të qëndrojnë larg dhunës.
Vetëm pak minuta nga fillimi i protestës, lideri i PD-së, Sali Berisha, mbërriti në ambientet e selisë, për t'u nisur më pas së bashku me simpatizantët e tij drejt Kryeministrisë.
Ndërkohë, që prej mbrëmjes së djeshme kanë nisur përgatitjen për protestën, teksa godina e qeverisë është rrethuar me gardh metalik. Gjithashtu, një ditë më parë, policia njoftoi edhe planin e masave për mbarëvajtjen e tubimit. Bllokimi i lëvizjes dhe parkimi i automjeteve në kryqeqytet ka nisur që prej orës 23:45 të ditës së djeshme. Ndërkohë sot që prej orës 15:00 ka nisur bllokimi i lëvizjes së automjeteve në akset kryesore në kryeqytetet ku do zhvillohet protesta.
"Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali"", thuhet në njoftim.
Partia Demokratike do të mbajë sot, 24 janar, protestën përpara Kryeministrisë kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Kujtojmë se opozita zhvilloi protestën e parë kombëtare më 22 dhjetor 2025, tubim i cili u shoqërua edhe me tensione, ku në përfundim të fjalimit mbyllës të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, protesuesit hodhën molotovë drejt kryeministrisë dhe hoqën gardhin metalik./ZËRI