TIRANË- Protesta e studentëve në Tiranë ka vijuar mbrëmjen e sotme me incidente dhe dëmtime të pronës publike, ndërsa turma është zhvendosur drejt rrugës së Dibrës pas tensioneve të regjistruara më herët në ambientet e Bashkisë së Tiranës.
Në hyrje të kësaj rruge protestuesit kanë dëmtuar semaforët, kanë djegur tabela reklamash dhe u kanë vënë flakën koshave të mbeturinave. Situata është tensionuar më tej edhe nga hedhja e gurëve në drejtim të efektivëve të policisë.
Për të përballuar situatën, policia është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës dhe ujë me presion në përpjekje për të shpërndarë turmën dhe për të vënë nën kontroll përplasjet.
Incidentet e fundit vijnë pas atyre të regjistruara në Bashkinë e Tiranës ku protestuesit dëmtuan derën e institucionit dhe hynë brenda ambienteve të tij. Protesta vijon të shoqërohet me tensione në rrugët e kryeqytetit./ZËRI