TIRANË- Një grup punonjësish të kompanisë ajrore "Air Albania" ka ngritur alarmin për shkelje të rënda ligjore, vonesa në paga, shkarkime të padrejta dhe cenim të rëndë të sigurisë së pasagjerëve. Në një shkresë dërguar kryeministrit Edi Rama, zv.kryeministres Belinda Balluku dhe ministrit të Financave, Petrit Malaj, ata i kërkojnë qeverisë ndërhyrje të menjëhershme për të frenuar përkeqësimin e situatës. Në shkresën e tyre, punonjësit bëjnë me dije se pas emërimit të një drejtuesi të ri turk në krye të kompanisë, është krijuar një gjendje alarmante, ku jo vetëm janë cënuar të drejtat e stafit, por është vënë në pikëpyetje edhe siguria ajrore. Sipas tyre, për më shumë se 11 muaj nuk i kanë kaluar sigurimet shoqërore, ndërsa disa prej tyre kanë pasur edhe vonesa për marrjen e pagave.
"Gjatë kësaj periudhe, me arsyen e gjoja riorganizimit te kompanise janë shtuar largimet e padrejta nga puna, presioni psikologjik, dhe praktikat abuzive për të detyruar punonjësit të largohen vetë nga vendi i punës. Siguria e pasagjerëve dhe e vetë punonjësve është cenuar rëndë. Për shkak të mungesës së stafit të kualifikuar, presionit të vazhdueshëm dhe mosrespektimit të standardeve operacionale, janë krijuar kushte që mund të rrezikojnë jetën e qytetarëve,"-shkruhet në letrën e punonjësve të kompanisë.
DEKLARATË PUBLIKE:



Drejtuar:
- Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Z Edi Rama
- Zëvendëskryeministrit të Republikës së Shqipërisë Znj Belinda Balluku
- Ministrit të Ekonomisë Petrit Malaj
- Drejtorisë së Aviacionit Civil
- Organeve të Shtypit dhe Medias
Subjekti: Denoncim për shkelje të rënda ligjore dhe cenim të sigurisë në kompanin ajrore Air Albania në Shqipëri
Tiranë, ne, një grup punonjësish të një prej kompanis ajrore Air ALBANIA që operon në Shqipëri, ndjejmë detyrimin moral dhe ligjor t'i drejtohemi publikut dhe institucioneve për të denoncuar një situatë alarmante të krijuar pas emërimit të CEO-së së ri Turk. Për shkelje të vazhdueshme dhe te qellimshme te Kodit te Punes dhe te Kodit ajror te Republikes se Shqiperise. Prej më shumë se 11 muajsh, sigurimet tona shoqërore nuk janë paguar, megjithëse kontributet mbahen nga pagat. Gjithashtu, vonesa ne paga te vazhdueshme, shumë prej nesh nuk kemi marrë 2 deri në 3 rroga mujore. Gjatë kësaj periudhe, me arsyen e gjoja riorganizimit te kompanise janë shtuar largimet e padrejta nga puna, presioni psikologjik, dhe praktikat abuzive për të detyruar punonjësit të largohen vetë nga vendi i punës. Siguria e pasagjerëve dhe e vetë punonjësve është cenuar rëndë. Për shkak të mungesës së stafit të kualifikuar, presionit të vazhdueshëm dhe mosrespektimit të standardeve operacionale, janë krijuar kushte që mund të rrezikojnë jetën e qytetarëve.
Kërkojmë menjëherë:
- Verifikim dhe ndërhyrje nga institucionet përkatëse për shkeljet në pagesa, sigurime dhe largime nga puna.
- Inspektim urgjent të pavarur nga Drejtoria e Aviacionit Civil për situatën e sigurisë teknike dhe operacionale.
- Mbrojtje ligjore për punonjësit që janë viktima të këtyre praktikave të paligjshme.
- Hetim për abuzimet dhe përgjegjësit.
Bashkëngjitur, publikojmë një listë me emrat dhe pozicionet e punonjësve të larguar padrejtësisht ose që janë detyruar të japin dorëheqjen si pasojë e stresit dhe presionit të ushtruar nga drejtuesit e rinj të kompanisë. Disa prej nesh kanë nisur procese gjyqësore që mund të zgjasin me vite, duke pritur drejtësinë ndërkohë që të drejtat tona elementare janë shkelur çdo ditë.
Lista e punonjesve drejtuar gjykates se Tiranes eshte e gjatë.
Lista e punonjësve të prekur:
Të prekurit përfshijnë punonjës me inicialet: G.F. Në total, 7 pilotë dhe 20 anëtarë të ekuipazhit të kabinës janë larguar ose pushuar nga puna, me paga të papaguara.
Lista e punonjësve të larguar padrejtësisht:
1. G.F.- Drejtor i Trajnimeve - Pushuar pa arsye
2. B.N. - Menaxher i Ekuipazheve të Kabinës - Pushuar pa arsye
3. K.Y. Menaxher i Planeve dhe Orarit të Ekuipazheve - Pushuar pa arsye
4. E.R.Menaxher i Operacioneve Tokësore - Pushuar pa arsye
5. M.Sh. Menaxher Komercial - Larguar pa arsye
6. A.S. Shef i Kontrollit Teknik dhe Mekanik të Avionëve - Pushuar pa arsye
7. E.I. - Drejtor i Sigurisë në Operim - Larguar pa arsye
8. A.N.Pilot-Rroga të papaguara
9. G.F.-Pilot Pushuar pa arsye
10. S.B. Ekuipazh Kabine - Detyruar të largohet
11. K.F. - Pushuar pa arsye
Sh.Q.A
12. M.P. - Departamenti i Orarëve - I larguar pa marrë rrogat
13. T.S.Pilot -I larguar, rroga të papaguara
14. S.K. - Ekuipazh Kabine - I larguar për shkak të mospagesës së rrogave
15. F.A.-Pilot - Pushuar pa arsye, me rroga të papaguara
16. A.B. - Shef Kabine - I detyruar të largohet për shkak të mospagesës së rrogës
17. E.B. - Ekuipazh Kabine - I detyruar të largohet për shkak të mospagesës së rrogës.
Këta janë vetëm një pjesë e pilotëve dhe ekuipazheve të kabinës që janë pushuar ose larguar, dhe rrogat e tyre nuk janë paguar. Edhe punonjësit aktualë aktiv kanë rroga të pamarra dhe përballen çdo ditë me presion nga CEO turk, i ardhur prej gati një viti në krye të kompanisë. Në përfundim, ne i bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse, përfshirë Turkish Airlines si aksioner, të ndërhyjnë menjëherë për: - Hetimin e plotë të shkeljeve të denoncuara; - Pagesën e menjëhershme të pagave dhe sigurimeve shoqërore për të gjithë punonjësit aktualë dhe të larguar; - Rikthimin në punë të atyre që janë pushuar padrejtësisht; - Garantimin e kushteve të sigurisë dhe dinjitetit në punë për të gjithë stafin ajror dhe tokësor. Presim reagim të shpejtë për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të kësaj situate shqetësuese. Kjo nuk është vetëm një çështje pune - kjo është një çështje e sigurisë publike dhe e dinjitetit njerëzor. Me respekt, Grupi i punonjësve të kompanisë ajrore AIR Albania.
Më 22 qershor, Gjykata e Apelit detyroi shoqërinë “Air Albania” që të shlyejë rreth 5 milionë euro fatura të prapambetura ndaj një kompanie që e furnizon me ushqimin për pasagjerët në bord. Por mesa duket pagesat ende nuk janë shlyer./ZËRI
