TIRANË- Bashkimi Europian do të nisë zbatimin e një sistemi të ri të hyrjes dhe daljes, duke nisur që nga data 12 tetor. Bëhet fjalë për qytetarët që nuk janë nga vendet e Unionit, pra duke prekur kështu, edhe qytetarët shqiptarë. Qëllimi i sistemit të ri hyrje/dalje është përforcimi i sigurisë kufitare për të identifikuar udhëtarët që qëndrojnë më gjatë se koha e lejuar në Zonën Shengen. Komisioni Europian ka njoftuar se nga 12 tetori, Shtetet Anëtare të BE-së do të prezantojnë sistemin për një periudhe 6 mujore. Pas kësaj periudhe, sistemi do të vendoset në të gjitha pikat e kalimit kufitar.
Çfarë do të thotë ky sistem për udhëtarët?
Ai do të jetë një sistem regjistrimi për udhëtarët e Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-së dhe vendeve të tjera jo anëtare të BE-së, siç është edhe Shqipëria. Rregullat e reja do të prekin shtetasit e vendeve të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnje dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia, të cilët aktualisht gëzojnë regjim pa viza për hyrje të shkurtër në zonë.
Me sistemin e ri, udhëtarët do të duhet të skanojnë pasaportat ose dokumentet e tjera të udhëtimit në një qendër vetëshërbimi sa herë që kalojnë një kufi të jashtëm të BE-së. Sistemi do të regjistrojë emrin e udhëtarit, të dhënat biometrike, si dhe datën dhe vendin e hyrjes dhe daljes. Skanimet e fytyrës dhe të dhënat e gjurmëve të gishtërinjve të marra gjatë regjistrimit të parë ruhen në bazën e të dhënave EES për tre vjet. Kështu, kur hyjne dhe dalin në kufi, udhëtarët do të duhet të japin vetëm një gjurmë gishti ose një foto, të cilat do të krahasohen me të dhënat e ruajtura.
“Bëhet fjalë për një sistem të avancuar teknologjik që do të regjistrojë në mënyrë digjitale hyrjet dhe daljet e shtetasve jo-BE për qëndrime afatshkurtra, duke zëvendësuar vulosjen manuale të pasaportave. Do të mblidhen të dhëna biometrike si gjurmët e gishtave dhe imazhi i fytyrës, si dhe të dhëna të tjera të udhëtimit”, tha Komisioni Europian.
Sistemi i ri do të zëvendësojë vulosjen manuale të pasaportave dhe do të lejojë autoritetet kufitare të kontrollojnë automatikisht kohëzgjatjen e qëndrimit të lejuar për turistët dhe udhëtarët e biznesit. Sistemi do të nisë së zbatuari gradualisht për gjashtë muaj dhe pritet të hyjë në funksionim të plotë në janar të vitit 2026./ZËRI