Aktualitet

Rregullorja e re/ GJKKO i gjobiti për bojkotin, 4 avokatë ankimojnë vendimin

Avokatët kundërshtojnë masat dhe kërkojnë ‘revokimin e gjobës’, teksa i lidhin mungesat e tyre me qëndrimin kolektiv të avokatisë ndaj rregullores së re.

zh.ll
Rregullorja e re/ GJKKO i gjobiti për bojkotin, 4 avokatë
foto ilustruese

TIRANË- Katër avokatë kanë ankimuar gjobat e vendosura ndaj tyre nga Gjykata e Posaçme (GJKKO), pas mungesës së tyre në seanca gjyqësore. Mësohet se 4 avokatët që kanë ankimuar gjobat janë: Arben Peçi, Dorian Matlija, Gjon Kodra dhe Eduart Qehaja. 

Avokatët kundërshtojnë masat dhe kërkojnë ‘revokimin e gjobës’, teksa i lidhin mungesat e tyre me qëndrimin kolektiv të avokatisë ndaj rregullores së re.

Që prej datës 9 shtator nisën të bojkotonin seancat gjyqësore dhe për gati një muaj në Gjykatën e shkallës së parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk është zhvilluar asnjë gjyq. Ndërsa me shumicë votashn, në mbledhjen e Këshillit Drejtues të Dhomës së Avokatisë, 23 shtator, u votua vijimi i bojkotit. 

Më 21 shtator, GJKKO gjobiti mbi 10 avokatë me nga 50 mijë lekë të rinj. Masa administrative erdhi në një kohë kur GJKKO ka bërë të ditur se rregullorja e re do të vijojë të zbatohet, duke e bërë të qartë se nuk do të tërhiqet. 

Rregullorja e re GJKKO-së hyri në fuqi më datë 1 shtator. Me ndryshimet e reja kufizohet numri i përfaqësuesve të mediave që mund të ndjekin një seancë gjyqësore, hiqet praktika e deritanishme që lejonte filmimin e minutave të para të seancave, ndalohet filmimi në korridoret e gjykatës dhe gazetarët do të duhet të paraqesin një kërkesë me shkrim të paktën 24 orë përpara për të marrë pjesë në një seancë gjyqësore. 

Gjithashtu, rregullorja e re ndalon mbajtjen dhe përdorimit e telefonave celularë, laptopëve dhe tabletëve brenda sallave të gjyqit për avokatët. Megjithatë në rregullore thuhet se: Prokurorët, të pandehurit, viktimat dhe avokatët që marrin pjesë në një seancë gjyqësore mund të mbajnë me vete dhe të përdorin vetëm kompjuterë portativë (laptopë) për ushtrimin e funksioneve të tyre procedurale, për aq kohë sa përdorimi i tyre nuk cenon rendin, solemnitetin ose zhvillimin e rregullt të seancës gjyqësore./ZËRI

Poll

MOS HUMB