SHKODËR- Pamjet nga vendngjarja tregojnë përmasat e tragjedisë që tronditi sot fshatin Domen të Shkodrës, ku humbën jetën një nënë e re dhe dy fëmijët e saj të mitur. Nga banesa e përfshirë nga flakët kanë mbetur vetëm rrënojat dhe tymi që vazhdon të ngrihet nga vendi i ngjarjes.
Në video duken edhe dy çanta pranë shtëpisë së shkrumbuar, ndërsa ende nuk dihet nëse ato i përkisnin 24-vjeçares Bleona Çelaj. Në vendngjarje vijojnë të jenë të pranishme forcat e policisë dhe ekipet zjarrfikëse, të cilat po punojnë për shuarjen e plotë të flakëve.
Viktimë e zjarrit mbeti 24-vjeçarja Bleona Çelaj, së bashku me dy fëmijët e saj të mitur, të cilët u gjetën të pajetë nën rrënoja. Sipas informacioneve paraprake, ajo kishte shkuar në banesën e vjetër, në pronësi të prindërve të saj, për ta pastruar. Mësohet se e reja ishte kthyer nga Gjermania më 15 korrik.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, policia ka gjetur një bombol gazi dhe një shishe me benzinë. Megjithatë, autoritetet nuk kanë konfirmuar ende nëse këto kanë lidhje me zjarrin apo nëse kanë qenë shkaku që çoi në këtë tragjedi. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë./ZËRI