Aktualitet

Rrethimi i News 24 nga Policia/ Panorama Group: E paligjshme, prona nuk ka kaluar kurrë në pronësi të “Kayo”

“Panorama Group” ka kërkuar nga autoritetet përkatëse të ndërmarrin veprime urgjente për të rivendosur të drejtat e medias.

l.k
Rrethimi i News 24 nga Policia/ Panorama Group: E paligjshme, prona nuk ka
Foto nga ngjarja

TIRANË- Shoqëria “Panorama Group” sh.a., pronare e Panorama TV, Gazeta Panorama, Panorama Sport dhe Panorama, ka reaguar ashpër pas rrethimit të redaksisë së News 24 nga forca të shumta policie ditën e sotme. Në deklaratën zyrtare, “Panorama Group” me përfaqësues administratorin Kino Buxheli ka denoncuar ndërhyrjen arbitrare të policisë, duke theksuar se ky është një akt tjetër që synon të minojë lirinë e shprehjes dhe të pengojë punën e mediave të pavarura. Gjithashtu është nënvizuar fakti që kjo ndërhyrje ka për qëllim të pengojë informimin e publikut dhe të minojë besimin e qytetarëve tek informacionet e pavarura.

 “Panorama Group” ka kërkuar nga autoritetet përkatëse të ndërmarrin veprime urgjente për të rivendosur të drejtat e medias dhe për të siguruar një klimë të mbrojtur për gazetarët dhe organizatat e medias në Shqipëri.

Në deklaratë theksohet se vendimi i Ministrave nuk përfshin godinën ku ushtron aktivitet “Panorama Group” sh.a dhe kjo pronë nuk ka kaluar asnjëherë në pronësi të kompanisë shtetëtore “Kayo” dhe shprehen se ambinetet janë të zaptuara në mënyrë të padrejtë, duke e bërë këtë një akt të paligjshëm.

Deklarata e plotë e administratorit Kino Buxheli:

“Sot, në orët e para të mëngjesit, ambientet e Shoqërisë “Panorama Group” sh.a. (Panorama TV, Gazeta Panorama, Panorama Sport dhe Panorama) janë bllokuar dhe i është ndërprerë furnizimi me energji elektrike, në shkelje flagrante të ligjit.

“Panorama Group” sh.a. ka respektuar në mënyrë të përpiktë të gjitha detyrimet kontraktuale ndaj Bashkisë së Tiranës dhe zotëron një kontratë qiraje të nënshkruar me ish-Ministrinë e Ekonomisë, e vlefshme deri në vitin 2033. Çdo veprim për prishjen e kësaj kontrate pa vendim gjykate është i paligjshëm.

Megjithatë, ambientet tona janë zaptuar në mënyrë arbitrare nga z. Ardi Veliu- shoqëria “Kayo” sh.a dhe policia, duke shkelur të drejtat kontraktuale dhe ligjore të “Panorama Group” sh.a. Vendimi i Këshillit të Ministrave, ku z. Veliu pretendon të mbështetet, nuk përfshin godinën ku ushtron aktivitetin “Panorama Group” sh.a. dhe kjo pronë nuk ka kaluar kurrë në pronësi të “Kayo” sh.a.

Ky akt përbën ndërhyrje të paprecedentë në lirinë e medias, duke bllokuar transmetimin e Panorama TV, Gazetës Panorama dhe Panorama Sport, si dhe duke penguar gazetarët tanë të hyjnë në ambientet e tyre të punës. Si pasojë, pasqyrimi i lajmeve penguar dhe pajisjet tona teknike rrezikohen nga mungesa e energjise elektrike.

“Panorama Group” sh.a. dënon ashpër këtë veprim arbitrar dhe i bën thirrje autoriteteve shtetërore të ndërpresin menjëherë çdo veprim të paligjshëm, të rivendosin të drejtën e ushtrimit të veprimtarisë sonë mediatike dhe të garantojnë respektimin e Kushtetutës së Shqipërisë, e cila garanton lirinë e medias.”

Mëngjesin e sotëm Policia e Shtetit ka rrethuar godinën e News 24 duke mos lejuar punonjësit të futen brenda godinës. Ky hap vjen pasi kontrata e grupit mediatik për godinën ka disa vite që ka mbaruar. Tashmë godina do të përdoret për "KAYO", kompaninë e prodhimit të armëve me vendim të qeverisë për përdorimin e saj në funksion të shoqërisë. Lidhur me këtë ngjarje nuk kemi ende asnjë reagim nga Policia./ZËRI

Poll

MOS HUMB