Aktualitet

Rritën çmimet, Autoriteti i Konkurrencës ‘shtrëngon’ One dhe Vodafone: Brenda 90 ditëve...paketa të lira, jo penalizime

Përmes një njoftimti publik, Autoriteti bën me dije se gjatë hetimit janë konstatuar rritje të përafërta të çmimeve, ngjashmëri mes paketave të ofruara, reduktim të ofertave me çmime të ulëta, si dhe mungesë dokumentacioni të plotë për justifikimin e ndryshimeve tarifore.

zh.ll
Rritën çmimet, Autoriteti i Konkurrencës
one albania-vodafone albania

TIRANË- Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur masa ndaj dy operatorëve kryesorë celularë, Vodafone Albania dhe One Albania, pas përfundimit të hetimit të thelluar për tregun e shërbimeve celulare. Vendimi vjen pas shqetësimeve të vazhdueshme të ngritura nga konsumatorët dhe synon transparencë, mundësi më të mëdha zgjedhjeje dhe tarifa më të favorshme për kategori të caktuara.

Përmes një njoftimti publik, Autoriteti bën me dije se gjatë hetimit janë konstatuar rritje të përafërta të çmimeve, ngjashmëri mes paketave të ofruara, reduktim të ofertave me çmime të ulëta, si dhe mungesë dokumentacioni të plotë për justifikimin e ndryshimeve tarifore.

Sipas vendimit, Vodafone dhe One duhet që brenda 90 ditësh të ofrojnë paketa më të favorshme për pensionistët dhe studentët 18–23 vjeç, ndërsa konsumatorëve do t’u garantohet më shumë lehtësi për të kaluar në paketa më të lira dhe për t’u informuar paraprakisht për çdo ndryshim çmimi.

Masat do të monitorohen për një vit, ndërsa në rast moszbatimi, operatorët përballen me penalitetet e parashikuara nga ligji.

Njoftimi i plotë i Autoritetit të Konkurrencës:

Autoriteti i Konkurrencës, në përfundim të hetimit të thelluar ndaj Vodafone Albania SHA dhe One Albania SHA në tregun me pakicë të shërbimeve celulare ka vendosur kushte dhe detyrime specifike që reflektojnë ankesat e konsumatorëve pranë Autoritetit. Vendimi i Komisionit të Konkurrencës synon korigjimin e shqetësimeve konkrete që kanë prekur konsumatorët dhe garantimin e çmimeve më të lira për shtresën e pensionistëve dhe studentëve, si dhe më shumë transparencë e mundësi zgjedhjeje për abonentët e të dy operatorëve.
Gjatë periudhës së hetuar u konstatuan rritje progresive dhe të përafërta të çmimeve, ngjashmëri e lartë ndërmjet paketave, reduktim i ofertave me çmime të ulëta dhe mangësi në dokumentimin e kostove që justifikojnë ndryshimet tarifore. Për pasojë, Autoriteti i Konkurrencës vendosi masa konkrete në interes të qytetarëve. Sipas vendimit:
- brenda 90 ditëve, të dy operatorët duhet të ofrojnë paketa të veçanta më të favorshme për pensionistët dhe studentët 18–23 vjeç;
- paketa më e lirë duhet të jetë realisht e disponueshme edhe në pikat fizike të shitjes, jo vetëm në aplikacione online apo kanale digjitale;
- pas përfundimit të kontratës, çdo abonent duhet të ketë të drejtë të kalojë në një paketë më të lirë, pa penalitete dhe pa pengesa të pajustifikuara;
- çdo ndryshim në çmim, përmbajtje apo vlefshmëri të paketës duhet t’i njoftohet individualisht abonentit, qartë dhe të paktën 30 ditë përpara;
- çdo rritje çmimi duhet të mbështetet në analiza të dokumentuara të kostove dhe ky dokumentacion duhet të ruhet për pesë vjet;
- paketat e reja duhet të kenë diferencim real dhe të mos kufizojnë zgjedhjen e konsumatorit;
- kontratat tip duhet të marrin vlerësimin paraprak të Autoritetit të Konkurrencës për shmangien e klauzolave të padrejta;
- procedura dhe afati për bartjen e numrit nga një operator te tjetri duhet të shkruhen qartë dhe kuptueshëm në kontratë.
Vendimi nr. 1307 i datës 27/07/2026 korrigjon probleme konkrete të konsumatorit: mungesën e informimit, vështirësinë për të zgjedhur një paketë më të lirë, aksesin e kufizuar në ofertat ekonomike, paqartësitë kontraktore dhe mungesën e alternativave për shtresa me të ardhura të ulëta.
Të gjitha detyrimet e vendosura nga Autoriteti i Konkurrencës do të monitorohen për një vit nga hyrja në fuqi e vendimit.
Në rast moszbatimi të një prej pikave të vendimit, Vodafone Albania SHA dhe One Albania SHA do të përballen me penalitetet e parashikuara nga ligji.

Poll

MOS HUMB