TIRANË- Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, është shprehur se Shqipëria po përgatitet për rishikim strategjik të mbrojtjes me buxhetin e 2026. Në një deklaratë për mediat, ministri është ndaluar duke bërë një krahasim për buxhetin 2025 dhe 2026, teksa theksoi se ky i fundit është një mekanizëm që mundëson forcimin e industrisë dhe të sovranitetit dixhital.
Vengu deklaroi se do të ketë rritje të pagave të ushtarakëve, rritje të numrit të personelit ushtaraka dhe mjete të reja për Forcat e Armatosura. Vengu bëri me dije se Shqipëria pritet të nisë në muajin shkurt prodhimin e dronëve, teksa shtoi se Shqipëria do të fillojë të prodhojë armë vetë.
"Buxheti 2026 nuk është një buxhet rutinë, por një mekanizëm për të ndërtuar kapacitete reale, për të zhvilluar industrinë, për të forcuar sovranitetin dixhital dhe për të ndërtuar një Shqipëri si aleate e qëndrueshme në NATO. Këtë vit arrijmë vlerën 2.12 të PBB-së dhe nëse e krahasojmë me buxhetin 2025 kemi një rritje me 12 %. Synojmë që në vitin 2029 të arrijmë nivelet e NATO-s. Rritja parashikon një rritje progresive, 60-70 % për pagat bazë dhe 30 % për nivelet më të larta të komandimit. Po ashtu synojmë rritjen me 30 % të komponentit aktiv. Vitin e kaluar kemi pasur 721 rekrutë të rinj. Akademia e FA është pika nevralgjike e kësaj politike. Viti 2026 do krijojë një kuadër ligjor më të mirë. Kemi një fluks rikthimesh në FA dhe tani FA është një forcë që tërheq gjithmonë e më shumë. Si pjesë e marrëveshjes me Izraelin ku zbatues është Elbit nga pala izraelite dhe Kayo nga pala shqiptare, kemi tre cështje bashkëpunimi. Është nënshkruar vetëm një kontratë, sa i përket kapaciteteve të dronëve luftarakë dhe sistemeve antidron. Bëhet fjalë për një kontratë që kap vlerën 30 milionë euro. Po investimojmë në ato komponentë që i gjykojmë esencialë për momentin ndaj edhe kemi këtë kontratë për momentin. Presim për uniformat para fundit të këtij 6 mujori, sistemet dron fillojnë prodhimin në shkurt, sistemet antidron presim të finalizohen para fundit të këtij viti”, tha ministri Vengu.
Ministri Vengu foli edhe për marrëveshjen trilaterale me Kosovën dhe Kroacinë për bashkëpunim ushtarak dhe stërvitor. Marrëveshja e cila është kundërshtuar ashpër nga Serbia, sipas Vengut, nuk ka për qëllim kundërshtimin e ndonjë vendi dhe as nuk është kundër Serbisë.
“Patjetër kam vënë re një sens paniku nga deklarata zyrtare në Beograd, qoftë mediatike, qoftë politike. Marrëveshje Shqipëri-Kroaci-Kosovë është një marrëveshje trepalëshe që nuk është ndërtuar kundër askujt. Madje kam qenë unë vetë i pari që kam shprehur edhe ftesë pse jo, që Serbia nëse gjykon se rajoni, stabiliteti, qëndrueshmëria dhe e ardhmja euroatlantike e vendeve të rajonit, është e rëndësishme, atherë pse jo edhe Serbia t’i bashkangjitet kësaj iniciative. Nuk kam marrë përgjigje për këtë ftesë. Ajo që mund të them është se Shqipëria, Kosova, Kroacia, kanë filluar në bazë të kësaj marrëveshjeje, qoftë në rrafshin ushtarak, stërvitor, apo akademik-arsimor, të bashkëpunojnë. Me kosovën kemi një dakordësi përsa i përket prodhimit të mjeteve të blinduara. Kjo vjen për dy arsye. E para sepse lexojmë kërcënimet dhe rreziqet në rajon në mënyrë të njëmendtë. E dyta, nuk besoj se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë të marrin leje përsa i përket kësaj pjese, e treta mikpresim edhe vende të tjera të na bashkangjiten. Është një partneritet i hapur. Por nuk jemi në situatat e garancive të mbrojtjes. Ne kemi arkitekturën tonë të sigurisë kolektive, por kemi vënë re që të treja vendet kanë nevoja të ngjashme, përsa i përket rritjes së kapaciteteve. Janë në një marrëveshje për të marrë secila më të mirën nga tjetra, përsa i përket industrisë ushtarake. Kroacia është vend lider në Europë përsa i përket dronëve të vegjël ushtarakë. Sikundër edhe ne synojmë që në kuadër të mjeteve të blinduara të krijojmë një epërsi dhe pse jo edhe të nisim të eksportojmë”, vijoi Vengu.