TIRANË- Gjykata e Lartë ka organizuar sot një ceremoni për çeljen e vitit të ri gjyqësor, ku kanë qenë të pranishëm drejtuesit e institucioneve, dhe përfaqësues të qeverisë, si dhe presidenti Bajram Begaj. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi u shpreh se vonesat në dhënien e drejtësisë rrezikojnë të cenojnë besimin e qytetarëve dhe të kthehen në padrejtësi.
“Drejtësia nuk është vetëm vendimmarrje. Ajo është edhe standard dhe orientim për sistemin dhe shoqërinë. Prandaj, kjo sallë nuk i përket vetëm këtij institucioni. Në thelb ajo u përket qytetarëve, çdo individi që hyn këtu me shpresën se do të dëgjohet dhe do të trajtohet me dinjitet, barazi dhe paanësi. Kjo ditë nuk shënon vetëm nisjen e vitit gjyqësor, por themelimin e një tradite institucionale, që i jep drejtësisë një moment të përvitshëm reflektimi dhe përgjegjësie publike”, u shpreh Sadushi.
Sipas tij, sistemi përballet me ngarkesë të lartë dhe stok çështjesh, ç’ka sjell vonesa të pajustifikueshme.
“Drejtësia që vonon rrezikon të kthehet në padrejtësi. Sistemi gjyqësor përballet me një ngarkesë të lartë dhe me një stok çështjesh të prapambetura. Kjo sjell vonesa, që nuk janë vetëm çështje statistike. Janë qytetarë që presin, çështje që zvarriten dhe marrëdhënie juridike që mbeten pezull. Prandaj kërkohet menaxhim, disiplinë dhe përparësi të qarta”, u shpreh Sadushi, duke kërkuar menaxhim më të mirë, arsyetim të qartë të vendimeve dhe respektim të kohës së arsyeshme.
Kreu i Gjykatës së Lartë apeloi për bashkëpunim institucional, investime në drejtësi dhe rritje të besimit publik, duke theksuar se pavarësia duhet të shoqërohet me përgjegjshmëri dhe standard të lartë profesional.
Ndërkohë që Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, i pranishëm në këtë takim, tha se pavarësia e drejtësisë nuk mund të jetë një alibi për mosdhënien e llogarisë, dhe në vonesën e zbardhjes së vendimeve.
Në fokus të kritikave të ministrit ishte Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, për të cilin ai deklaroi se nuk po përmbush siç duhet misionin kushtetues për garantimin e standardeve të larta profesionale dhe disiplinore në sistem.
“Pavarësia e drejtësisë nuk mund dhe nuk duhet të keqpërdoret si alibi për mosveprim, për zvarritje apo për mungesë përgjegjshmërie”, u shpreh Lamallari, duke nënvizuar se ILD është krijuar pikërisht për të ushtruar kontroll dhe për të garantuar disiplinë, jo për të funksionuar si filtër bllokues ndaj ankesave të qytetarëve.
Ministri solli të dhëna konkrete që, sipas tij, tregojnë një situatë jo të mirë teksa tha se, gjatë viteve 2023–2025 janë regjistruar 1.374 ankesa pranë ILD-së, ndërsa vetëm 23 vendime për çelje hetimi disiplinor janë marrë për 25 magjistratë. Kjo do të thotë se më pak se 2% e ankesave të qytetarëve kalojnë filtrin fillestar për hetim disiplinor.
“Përtej vështirësive në plotësimin e vakancave, nuk ka asnjë arsye bindëse që të justifikojë një numër kaq të ulët procedimesh disiplinore dhe mungesën e inspektimeve proaktive”, theksoi ministri, duke e cilësuar rolin e ILD-së si të pazëvendësueshëm për besueshmërinë e sistemit të drejtësisë.
Lamallari paralajmëroi se mungesa e reflektimit dhe veprimit real nga institucionet e përgjegjshme për disiplinën rrezikon të kthejë pavarësinë e drejtësisë në një koncept formal, të shkëputur nga përgjegjësia ndaj qytetarëve. Në përfundim, ministri siguroi se Ministria e Drejtësisë do të vijojë të referojë çdo rast shkeljeje të afateve dhe standardeve ligjore pranë ILD-së, duke theksuar se pas një dekade Reformë në Drejtësi, sistemi ndodhet tashmë në fazën e llogaridhënies dhe konsolidimit, ku retorika duhet t’i lërë vendin rezultateve konkrete.
“Pavarësia e drejtësisë merr forcë dhe legjitimohet vetëm nga besimi i publikut”, përfundoi Lamallari, duke e cilësuar vitin e ri gjyqësor si një test maturie dhe përgjegjshmërie për të gjithë sistemin.
Lidhur me stokun e dosjeve, Ministri i Drejtësisë veçoi veçanërisht si problematike situatën në gjykatat e apelit të juridiksionit të përgjithshëm.
“Nëse për Gjykatën e Lartë konstatojmë progres, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për pjesën tjetër të sistemit. Në shumë segmente, veçanërisht në gjykatat e apelit, normat e përfundimit të çështjeve janë minimale dhe numri i çështjeve të prapambetura paraqitet alarmant. Në disa raste, më pak se një e dhjeta e çështjeve përfundojnë brenda vitit, çka nuk është vetëm problem kapaciteti, por çështje menaxhimi, prioritetesh dhe vullneti institucional.
Nuk mund të flasim për besim publik kur qytetari humbet shpresën për të marrë një vendim brenda një afati të arsyeshëm. Në gjykatat e apelit të juridiksionit të përgjithshëm, përqindja e përfundimit të çështjeve penale ra ndjeshëm gjatë 9 muajve të parë të vitit që lamë pas. Për cdo 100 dosje në shqyrtim, vetëm 12 prej tyre u përmbyllën, ndërsa stoku total po shenjon shifrën rreth 19.000! Në çështjet civile dhe administrative, norma e përfundimit në disa gjykata zbret në 5%, duke e kthyer apelimin në një pritje të pafund për qytetarin.
Kjo nuk është thjesht statistikë. Është praktikisht mohim i drejtësisë përmes vonesës. Prirja rritëse e stokut shfaqet gjithashtu tek çështjet ende në hetim. Pavarësisht përmirësimeve të pjesshme në përfundimin e çështjeve, ngarkesa strukturore e sistemit të hetimit penal mbetet e lartë, me 23.623 çështje në vitin 2024. Qartësisht, edhe në këtë rast nevojiten masa të qëndrueshme për rritjen e efikasitetit dhe përshpejtimin e procedimeve”, deklaroi ministri Lamallari.
Ai foli gjithashtu edhe për nivelin e lartë të paraburgimit në vend.
“Paraburgimi duhet të jetë përjashtim dhe jo rregull. Kur ai zëvendëson gjykimin e shpejtë dhe të drejtë, kemi një problem serioz me standardet demokratike. Ky fenomen nuk përputhet me aspiratat e një vendi që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Është koha për të ndryshuar kulturën ndëshkuese dhe represive, ku masa e arrestit me burg shihet si zgjidhja më e shpejtë”, tha Lamallari.