
TIRANË- I pari i vendit, Bajram Begaj ka "sekrete" dhe po sigurohet që t'i mbajë sa më të sigurta. Institucioni i Presidencës ka hapur një tender për të blerë disa mallra mes të cilave edhe një kasafortë sekrete. Tenderi me vlerë rreth 3 milionë lekë me TVSH është njoftuar sipas "A2CNN" në Agjencinë e Prokurimeve Publike. Në shpalljen e tenderit njoftohet se kasaforta është e nevojshme për të mbajtur dokumentet sekrete që ka institucioni i Presidencës.
Sesi duhet që të jetë kasaforta, e ka cilësuar me detaje institucioni i Presidencës.
“Kasaforta duhet të ketë strukturë llamarinë me trashësi jo më pak se 1.5 mm. Kasaforta duhet të ketë strukturë llamarinë me trashësi jo më pak se 1.5 mm. Të ketë dy ndarje horizontale nga brenda, ku të krijohen tre hapësira. Dera të jetë e pajisur me dorezë dhe bravë automatike sekrete. Lyerja me mënyrë elektrostatike. Bazamenti të jetë jo më pak se 10 cm. Përmasat ( 50x50x110).”
Afati i dorëzimit të ofertave për këtë procedurë tenderuese ka përfunduar, dhe tashmë stafi i Presidencës është duke vlerësuar ofertat e paraqitura nga të gjitha kompanitë që janë ofertuar. Tani mbetet vetëm të zgjedhë kasafortën e duhur! Me këtë blerje, tani lind pyetja: paraardhësit e zotit Begaj, ku i mbanin dokumentet sekrete?/ZËRI