
MAT-Një sherr mes nxënësve ka ndodhur në një shkollë të mesme në fshatin Baz, Mat. Konflikti ka agravuar në përdorimin e thikës, ku si pasojë një 17-vjeçar ka mbetur i plagosur. Mësohet se dy nxënësit kanë patur konflikte të mëparshme. Autori 18-vjeçar, Donald Lepuri është arrestuar, ndërsa i plagosuri, Alban Gjonaj është transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Ngjarja ka ndodhur gjatë orës së mësimit të edukimit fizik. Mësohet se Gjonaj është plagosur në brinjë, ndërsa u transferua me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Burime bëjnë me dije se në Shkollën e Mesme të Bashkuar “Gjergj Kastrioti” në Baz të Burrelit nuk ka oficer sigurie dhe psikologë, ndërsa numri i nxënësve që frekuentojnë shkollën është 96.
Njoftimi i policisë:
Sot, rreth orës 10.30, në ambientin sportiv të shkollës së mesme në fshatin Baz, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi D.L., 18 vjeç, ka goditur me mjet prerës një 17-vjeçar, i cili është transportuar në spital për ndihmë mjekësore. Falë veprimeve të shpejta dhe reagimit të menjëhershëm, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat bënë të mundur kapjen dhe shoqërimin në Komisariat të autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasin D.L.
Gjatë veprimeve të para hetimore lidhur me këtë ngjarje, rezulton se 2 shtetasit e përfshirë në konflikt nuk kanë pasur konflikte të mëparshme. Gjithashtu, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale mjeti prerës që dyshohet se është përdorur gjatë konfliktit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat dhe dinamikën e plotë të ngjarjes./ZËRI