TIRANË-Një konflikt i dhunshëm në Tiranë ka përfunduar me plagosjen e një 74-vjeçari. Ngjarja raportohet të ketë ndodhur në ambientet e një pallati në rrugën “Aleksandri i Madh”, ku administratori i pallatit është plagosur mjetet prerëse (thikë dhe motorsharrë) nga banori 35-vjeçar, Klevis Leka. Shkak për konfliktin dyshohet të jetë bërë linja e ujit të pijshëm në pallat.
Njoftimi i policisë:
Plagosi rëndë, me mjete prerëse, administratorin e pallatit ku banonte, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestojnë menjëherë pas krimit, autorin.
Sekuestrohen mjetet prerëse (thikë dhe motorsharrë).
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, menjëherë pas njoftimit të mëngjesit të sotëm, se në ambientet e një pallati në rrugën “Aleksandri i Madh”, ndodhej i dëmtuar administratori i objektit, shtetasi F. G., 74 vjeç, shkuan në vendngjarje për të sqaruar autorësinë dhe rrethanat e rastit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, u identifikua dhe u arrestua menjëherë pas kryerjes së krimit, autori i dyshuar, shtetasi K. L., 35 vjeç, banor i këtij pallati.
Nga veprimet e deritanishme hetimore dyshohet se 35-vjeçari ka plagosur rëndë, me mjete prerëse, 74-vjeçarin, gjatë një konflikti për linjen e ujit të pijshëm në këtë pallat.
I dëmtuari është transportuar në spital, ku është në kujdesin e mjekëve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të këtij rasti.