SHKODËR- Dy të rinj, Klevin Thepi 24 vjeç dhe Doronesto Kulla 19 vjeç janë arrestuar nga policia lidhur me sherrin e dhunshëm me thikë të ndodhur një ditë më parë para derës së shkollës së Gjuhëve të Huaja “Shejnaze Juka” në Shkodër. Në lidhje me ngjarjen ka filluar një hetim edhe për pesë të mitur, 4 prej tyre 17 vjeç dhe një 16-vjeçar.
Një prej 17-vjeçarëve që është vënë në hetim, është personi që dallohet në videon e sherrit, teksa qëllon me thikë dy kundërshtarët e mitur. Ndërkohë njërit prej tyre gjatë kontrollit fizik iu gjet në xhep të xhupi një sasi lënde narkotike.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër arrestuan shtetasit K. Th., 24 vjeç, dhe D. K., 19 vjeç, dhe filluan procedimin penal për pesë shtetas të mitur (4 prej tyre 17-vjeçarë dhe një 16-vjeçar).
Këta shtetas, në rrugë, në lagjen “Kongresi i Përmetit”, për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin dhe si pasojë, kanë pësuar dëmtime të lehta dy shtetas të mitur 17-vjeçarë. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të rastit. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin e mitur 17-vjeçar, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Të rinjtë u përfshinë në një sherr me grushte e thika. Në videon e publikuar shihet momenti ku të rinjtë të cilët sulmojnë njëri-tjetrin me grushte dhe shkelma, ndërsa një prej tyre ka nxjerrë një thikë dhe godet disa herë disa prej nxënësve të përfshirë në sherr.
/ZËRI
