LUSHNJË- Dy persona kanë rënë në prangat e policisë, pasi shisnin doza kokaine në zona të ndryshme në Lushnjë dhe posedonin sendet e kundërligjshme. Në pranga kanë rënë Eduart Sharka, 31-vjeç, dhe Skerdilajd Gjoni, 39-vjeç.
Sipas njoftimit të Policisë, 31-vjeçari dyshohet se shpërndante doza kokaine në qytet duke përdorur motomjetin me të cilin punonte për shpërndarjen e porosive të ushqimit. Ndërsa gjatë kontrolleve në banesat e tyre, policia gjeti dhe sekuestroi sasi lënde të dyshuar kokainë, armë zjarri dhe celularë.
Njoftimi:
Finalizohet, pas disa muajsh hetime, operacioni i koduar “Motoristi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike.
Sekuestrohen rreth 320 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, municion luftarak, peshore elektronike, grirëse bimësh narkotike dhe 6 celularë.
Identifikohen dhe arrestohen 2 shtetas që shisnin doza kokaine në zona të ndryshme në Lushnjë dhe posedonin sendet e kundërligjshme.
Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Fier, pas disa muajsh hetime të kryera me metoda proaktive, organizoi dhe finalizoi, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, operacionin e koduar “Motoristi”. Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit:
* E. Sh., 31 vjeç, i cili dyshohet se shiste doza kokaine në qytetin e Lushnjës, duke përdorur motomjetin me të cilin shpërndante porosi ushqimi. Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën 318 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, 1 peshore elektronike, fishekë për armë zjarri, 1 grirëse bimësh narkotike dhe 3 celularë;
* S. Gj., 39 vjeç, i cili dyshohet se shiste doza kokaine në qytetin e Lushnjës. Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe 3 celularë.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarive kriminale të këtyre shtetasve dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.