
FIER- Policia e Fierit ka reaguar pas shoqërimit të kandidatit të Partisë Demokratike, Fation Semanjaku. Në njoftim zyrtar, policia pretendon se shoqërimi ka ndodhur pasi janë njoftuar se Semanjaku kishte vendosur poster në qëndër të qytetit, në kundërshtim me ligjin dhe po kundërshtonte forcat e Policisë Bashkiake për heqjen e këtij posteri. Më pas, është lënë i lirë.
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier:
Në lidhje me një lajm të publikuar për shoqërimin në Komisariat të shtetasit F. S. (Kandidat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike), sqarojmë se:
Rreth orës 18:50, Drejtori i Policisë Bashkiake ka njoftuar te Salla Operative e DVP Fier se një subjekt politik ka vendosur poster në qëndër të qytetit, në kundërshtim me ligjin dhe po kundërshton forcat e Policisë Bashkiake për heqjen e këtij posteri.
Pas njoftimit të marrë, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë të cilat për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit, kanë shoqëruar personin që po kundërshtonte policinë bashkiake, kanditatin për deputet të Partisë Demokratike, shtetasin F. S., i cili është lënë i lirë menjëherë.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier siguron subjektet politike dhe qytetarët se shërbimet e Policisë janë të angazhuara maksimalisht për të parandaluar e goditur paligjshmëritë si dhe për të garantuar rendin e sigurinë.