POGRADEC- Një parashutist i Maqedonisë së Veriut kishte nisur sot aventurën e radhës nga Shën Nuami, teksa moti e gjeti të papërgatitur. Për shkak të erës së fortë ai përfundoi në zonën e Pogradecit, në fshatin Alarup.
Menjëherë autoritetet maqedonase kanë njoftuar autoritetet shqiptare për t’i ardhur në ndihmë parashutistit. Policia ka shkuar në Alapur dhe kanë bërë të munur gjetjen e sportistit, i cili për fat të mirë nuk kishte pësuar asnjë lëndim. Parashutisti u dërgua në pikën kufitare të Qafë Thanës, i cili më pas ka kaluar për në Maqedoninë e Veriut.
Njoftimi i Policisë:
Policia Kufitare i shkoi në ndihmë një sportisti të Maqedonisë së Veriut, që fluturonte me paraglajder.
Shërbimet e Policisë reaguan me shpejtësi dhe profesionalizëm, duke bërë të mundur lokalizimin e tij.
Pas informacionit të marrë nga komandanti i Shën Naumit, të Maqedonisë së Veriut, se një parashutist ishte ngritur në fluturim dhe, si pasojë e erës së fortë, kishte devijuar fluturimin dhe mund të kishte rënë në fshatin Alarup, Pogradec, menjëherë shërbimet e Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë kanë shkuar në adresën e dhënë, kanë bërë të mundur lokalizimin e tij dhe kanë marrë kontakt me sportistin, shtetasin V. P., i cili ishte në gjendje shumë të mirë shëndetësore.
Nga ana e shërbimeve të DVKM Korçë, është bërë e mundur dërgimi i këtij shtetasi në PKK Tushemisht, i cili ka kaluar për në Maqedoninë e Veriut.
Sportisti falënderoi shërbimet e Policisë për reagimin e menjëhershëm dhe profesionalizmin e treguar.
Policia Kufitare mbetet e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve, dhe fton këdo që ndodhet në nevojë të telefonojë në numrin pa pagesë 112./ZËRI