GRAMSH- Një 80-vjeçar nga Gramshi është bërë viktima e parë nga zjarret në vend. I moshuari kishte ndezur zjarr në kopshtin e banesës së tij në fshatin Kullollas, por zjarri i doli nga kontrolli duke i marrë jetën. Përveç kësaj, flakët janë përhapur nga era dhe aktualisht kanë shkrumbuar 2 fshatra, ndërsa të tjerë janë ende në rrezik. Aktualisht, po punohet për evakuuimin e banorëve në mënyrë që të mos rrezikohen jetë të tjera.
NJOFTIMI I POLICISË:
Gramsh/Informacion paraprak
Rreth orës 11:00, dyshohet se një shtetas rreth 80 vjeç, ka ndezur zjarr në kopshtin e banesës së tij, në fshatin Kullollas, zjarr i cili ka dalë jashtë kontrolli dhe është përhapur masivisht, në disa fshatra të rrethit të Gramshit. Dyshohet se si pasojë e asfiksimit, ky shtetas ka humbur jetën.
Shërbimet e Policisë, të Zjarrfikëses dhe të Emergjencave Civile kanë shkuar menjëherë në zonë, ku po punojnë intensivisht për shuarjen e zjarrit, si dhe për evakuimin e banorëve të fshatrave në të cilat janë përhapur flakët. Ndërkaq, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po heton për të zbardhur dhe dokumentuar shkakun e zjarrit dhe rrethanat e tjera të rastit./ZËRI