
GRAMSH-Situata nga helmimi i ushqimit në kopështin publik Nr. 1 në Gramsh vijon të jetë shqetësuese. Në një email zyrtar nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor (NJVKSH) në Gramsh siguruar nga gazetari Osman Stafa, konfirmohet përhapja e infeksionit me ‘Salmonella Enteritidis’.
Konkretisht nga NJVKSH raportohet se nga 79 persona (fëmijë dhe staf) janë identifikuar 14 raste me 'Salmonella Enteritidis'. Prej tyre, 5 raste janë zbuluar nga mostrat për diagnozë dhe 9 raste nga depistimi. Nga 72 ekzaminime të bëra për depistim, 53 kanë rezultuar negativë, 6 nuk kanë pasur rritje bakteriale, dhe 6 janë në pritje të rezultatit.
Srukturat shëndetësore lokale janë udhëzuar të tregojnë kujdes të shtuar për parandalimin dhe menaxhimin e mëtejshëm të situatës. NJVKSH i bën thirrje të gjitha qendrave shëndetësore dhe Spitalit Bashkiak për bashkëpunim të ngushtë dhe raportim të menjëhershëm të çdo rasti të dyshuar.
Njoftimi i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Gramsh:
Ditët e fundit, në Kopshtin Nr. 1 në qytet janë paraqitur disa raste të fëmijëve me simptoma gastrointestinale (diarre, temperaturë, të vjella, dobësi). Janë marrë masa të menjëhershme për hetimin dhe menaxhimin e situatës nga strukturat përkatëse dhe po vijojnë analizat laboratorike për të përcaktuar shkakun.
Nga 79 persona të depistuar (fëmijë dhe staf), janë identifikuar 14 raste me 'Salmonella Enteritidis'. Prej tyre, 5 raste janë zbuluar nga mostrat për diagnozë dhe 9 raste nga depistimi. Nga 72 ekzaminime të bëra për depistim, 53 kanë rezultuar negativë, 6 nuk kanë pasur rritje bakteriale, dhe 6 janë në pritje të rezultatit. Në këtë kuadër, kërkojmë vigjilencë të shtuar nga të gjitha Qendrat Shëndetësore për:
Vëzhgimin dhe identifikimin e fëmijëve me simptoma të ngjashme. Raportimin e menjëhershëm të çdo rasti të dyshuar pranë NJVKSH Gramsh.
Ndjekjen nga afër të gjendjes shëndetësore të fëmijëve të Kopshtit Nr. 1, si për ata të prekur, ashtu edhe për ata që kanë rezultuar negativë.
Informimin e komunitetit mbi rëndësinë e higjienës personale dhe ushqyerjes së sigurt të fëmijëve. Lutemi për bashkëpunim dhe gadishmëri maksimale për ta përballuar këtë situatë me seriozitet dhe profesionalizëm.
NJVKSH Gramsh
Drejtore: Besmira Bracja


Çfarë ka ndodhur në Gramsh?
Dy ditë më parë u raportua se rreth 70 fëmijë kanë përfunduar të helmuar pasi kanë ngrënë drekën në kopshtin publik nr.1 në Gramsh. Ngjarja ka ndodhur të martën, por është u zbulua më 24 maj, pasi institucionet e kanë mbajtur të fshehtë. Një pjesë e fëmijëve kanë qëndruar për ditë të tëra në spital me simptoma si vjellje, temperatirë, diarre dhe ethe. Analizat që janë bërë tregojnë se fëmijët janë helmuar nga bakteri i salmonelës. Dyshimet paraprake janë se helmimi ka ardhur nga ushqimi i ofruar nga kompania e shërbimit katering “Nelsa SHPK”. Për rastin kanë nisur hetimet nga Prokuroria e rrethit të Elbasanit, por ende nuk ka detaje të tjera. Prokuroria e Elbasanit ka nisur një hetim dhe janë sekuestruar kartelat klinike për pacientët e shtruar në spitalin e Gramshit, procesverbalet e kontrollit dhe furnizimit me produkte ushqimore të Kopshtit Nr.1./ZËRI